“Delegacioni”, me ngjarjet e viteve ’90-të shfaqet në Durrës

Durrësi

“Delegacioni”, me ngjarjet e viteve ’90-të shfaqet në Durrës

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 12:11
Ilustrim

Filmi “Delegacioni” me regji të Bujar Alimanit dhe skenar të të ndjerit Artan Minarolli u shfaq për publikun në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Filmi deri tani ka arritur të fitojë çmimin e madh “Grand Prix” në Varshavë dhe vlerësimin si “Filmi më i mirë i gjatë” në Festivalin e Triestes. Gjithashtu ishte filmi i përzgjedhur nga Komisioni i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për të përfaqësuar Shqipërinë në “Oscar” në kategorinë për “Filmin Artistik Ndërkombëtar më të mirë” në AMPAS.

Kjo shfaqje e filmit u organizua nga Europe House në bashkëpunim me këndin e BE-së në Durrës. Filmi “Delegacioni” është shfaqur në shumicën e festivaleve ndërkombëtare dhe madje, edhe në festivalet e Kategorisë A. Në faqen e teatrit shkruhet se filmat e Alimanit kanë shumë të fortë elementin historik: jo si rrëfim kohor, por si një dëshmi e zhvillimeve social-politike të kohës, qoftë asaj të shkuar, ashtu edhe asaj të tashme. “Madje, filli i hollë që ndan aspektin kohor në filmat e tij thuajse harrohet gjatë shikimit të filmit, pasi në fakt situatat shpesh janë aktuale, siç është rasti në filmin “Delegacioni””, thuhet për këtë film, që ka në role aktorë të njohur të kinematografisë shqiptare.

Ngjarjet e filmit “Delegacioni” zhvillohen në vitet 1989-‘90. Në Tiranë ka ardhur një delegacion evropian për të parë nga afër se si po zhvillohen reformat demokratike, që ka marrë qeveria. Këto reforma janë kusht kryesor për t’u futur Shqipëria në KSBE (sot OSBE). Drejtues i tyre është zoti Loherin. Ai ka qenë bashkënxënës i Leos gjatë studimeve në Pragë. Ndërsa, Leo (Viktor Zhusti) është në burg.

Ata e nxjerrin nga burgu, për ta prezantuar Shqipërinë në sytë e delegacionit të huaj, si një vend ku bëhen reforma demokratike, por edhe për të takuar si intelektual kreun e delegacionit që do të vinte. Leo e kupton se çfarë do të ndodhte dhe kërkon të vrasë veten. Por, ngjarjet në film marrin tjetër rrjedhë. Aktorë në film janë Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Xhevdet Feri, Kasem Hoxha, Richard Sammel, Rovena Lule, Bislim Muçaj, Tristan Halilaj, Mehmet Xhelili, Jorgaq Tushe, Lulzim Zeqja, Selman Lokaj, Armando Dauti etj. Ky film është bashkëprodhim në mes të Shqipërisë (Art Film shpk), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat