Identifikohet dhe shoqërohet në polici shqiptari nga Durrësi, që tërhiqte zvarrë me veturë qenin

Durrësi

Identifikohet dhe shoqërohet në polici shqiptari nga Durrësi, që tërhiqte zvarrë me veturë qenin

Më: 15 shtator 2020 Në ora: 14:17
Ilustrim

Autoritetet shqiptare në Durrës kanë arritur të identifikikojnë shtetasin 50 vjeçar, i cili ishte paraqitur në pamje teksa tërhiqte një kafshë shtëpiake (qen) pas një makine.

Siç bëjnë të ditur Policia e Shqipërisë në Durrës, F.P, banues Sukth, është shoqëruar në polici, dhe të njëjtit i është proceduar vepër penale me masë administrative.

”Duke marrë shkas nga një foto e publikuar në rrjetet sociale, ku paraqitej një kafshë shtëpiake (qen), duke u tërhequr pas një makine, në Sukth, Durrës, ju sqarojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me mjetin e tij tip “Renault”, shtetasin F. P., 50 vjeç, banues në Sukth, Durrës.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi F. P., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve” parashikuar nga neni 207/c paragrafi 2 si dhe nga shërbimet e Policisë të Qarkullimit Rrugor është vendosur masë administrative në bazë të dispozitave të Kodit Rrugor, sipas neneve 158, 182 dhe 139/14/5/8.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Durrësit fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat