Durrësi "pushtohet" nga këpucët e kuqe, ja çfarë simbolizojnë

Durrësi

Durrësi "pushtohet" nga këpucët e kuqe, ja çfarë simbolizojnë

Më: 8 mars 2021 Në ora: 11:30
Andia Xhunga

Vitet e fundit edhe në Shqipëri 8-Marsi nuk po konceptohet vetëm si një festë, por edhe si një ditë ku organizohen aktivitete për të sensibilizuar shoqërinë në mbështetje të gruas. Një ndër to do të zhvillohet edhe sot në Durrës dhe mban emrin "Këpucët e Kuqe".

Ky emërtim është bërë i njohur që në vitin 2009 nga artistja dhe arkitektja meksikane Elina Chauvet. Ajo humbi motrën e saj vetëm 32 vjeçe për shkak të dhunës në familje dhe zgjodhi që të protestojë ndaj fenomenit duke vendosur 33 palë këpucë të kuqe në shesh.

"Këpucët e kuqe" kanë shëtitur botën dhe për herë të parë vijnë në Durrës, jo rastësisht pasi vitet e fundit ky është një ndër qytetet me numrin më të lartë të grave të dhunuara.

Sot në shkallët e Galerisë se Artit në Durrës, është vendosur instalacioni me "Këpucët e Kuqe" që janë mbledhur nga të gjitha gratë e qytetit.

Më pas, në mbrëmje në livestream në faqen e teatrit "Aleksandër Moisiu", do të shfaqen "8 Histori të vërteta të 8 grave" që kanë pësuar ose kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje.

Aktorja Andia Xhunga tregoi simbolikën e ‘këpucëve të kuqe’ në një lidhje direkte për “Wake Up” nga qyteti i Durrësit

“Simbolika e këpucëve të kuqe, e ideuar nga vetë Elina është që këpucët simbolizojnë femrën në mungesë dhe ngjyra e kuqe simbolizon gjakun.

Por, gjithashtu simbolizon edhe dashurinë e shpresën, pra simbolizon pak edhe shpresën, jo vetëm gjakun.

Ajo që ne duam të bëjmë sot është të ngremë zërin kundër dhunës ndaj femrës, pasi të gjithë e dimë që dhuna ndaj gruas nuk ndikon vetëm te ajo, por në gjithë shoqërinë, në fëmijët e tyre, por edhe te burrat. Për t’i thënë stop dhunës, duhet të ngremë zërin fort”, sqaroi Xhunga. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat