Rama thirrje sipërmarrjes: Rrisni pagat e punonjësve

Durrësi

Rama thirrje sipërmarrjes: Rrisni pagat e punonjësve

Më: 12 prill 2023 Në ora: 17:52
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ka nisur takimet informuese me përfaqësues të biznesit të madh për rritjen e pagës minimale. Nga Durrësi, shefi i qeverisë u bëri apel sipërmarrjeve të trajtojnë me dinjitet punonjësit dhe të rrisin nivelin e pagave.

“Trajtimi dinjitoz i punonjës nuk duhet të jetë problem,  por zgjidhja. Të rrisin pagat dhe të mbajnë të paprekur kapitalin njerëzor, sepse kur të humbasin kapitalin njerëzor, do humbasin gjithçka. Ne do bëjmë tonë  për këtë pjesë. Jetojmë në një sistem që nuk ia lejon qeverisë, por kjo është çështje e konkurrencës. Po nga ana tjetër ne nuk mund të rrimë të bëjmë sehir, që kompani të caktuara nuk i trajtojnë mirë punonjësit. Në vitin 2030, synimi është që Shqipëria të mos ketë pagë më të vogël se 60 mijë lekë.”, tha Rama.

Ai u ndal konkretisht tek sektori i ndërtimit, ndërsa tha se ka kompani, të cilat deklarojnë paga minimale dhe larg standardit të pagave të sektorit. Kryeministri i paralajmëroi këto kompani, duke thënë se nëse shkelin rregullat nuk do mund të marrin leje dhe nuk mund të hyjnë në garë për të përfituar tenderë publikë.

“Nuk do lejojmë të hyjnë në tenderë publikë, të atyre kompanie që kanë nivele pagash që nuk i paraqiten realitete të pagave. Nuk do t’u japim leje ndërtimi për ata kompani që bëjnë evazion dhe abuzim me pagat dhe do fillojmë hap pas hapi, të kërkojmë nga kompanitë që duan të kenë kontrata apo të drejta të marra nga shteti, që të kërkojmë kontratën kolektive të punës, që garanton të drejtën e punëtorëve. Ne do kërkojmë që kompanitë të përgatisin kontratat kolektive të punës”, theksoi ai.

Rama u shpreh se brenda këtij mandati paga minimale do të shkojë në 45 mijë lekë. Sipas tij, reformat e marra do ta bëjnë tregun e punës më konkurrues dhe kjo më pas do të pasqyrohet të rritja e të ardhurave për qytetarët.

“Ne do kishim dashur ta bënim që në fillim, por s’ka qenë e mundur, Pagat rriten, sepse ta lejon arka e shtetit. Kjo rritje e pagave që po bëjmë tani është rezultat i punës që është bërë dhe duhet të vazhdojë dhe të ketë rritje pagash në fillim. Ka shumë akoma për të bërë”, tha mes tjerash Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat