Kufizime për qarkullimin në Durrës, mjetet e transportit nuk lejohen të lëvizin ditën

Durrësi

Kufizime për qarkullimin në Durrës, mjetet e transportit nuk lejohen të lëvizin ditën

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 15:55
Foto ilustrim

Qarkullimi i mjeteve të transportit të mallrave do të jetë i kufizuar në disa akse kryesore rrugore të Durrësit deri në 15 shtator.

Ky është urdhri më i fundit i nxjerrë nga bashkia e qytetit bregdetar, që ndalon lëvizjen e tyre nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 23:00 të mbrëmjes.

Vendimi, që synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe turistëve është kundërshtuar nga bizneset, pasi ka krijuar problematika për distributorët.

Sipas kreut të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Artan Luku, shpërndarja e mallrave thuajse është pezulluar këtë fillim gushti, për shkak se bizneset janë gjetur të papërgatitur, pasi nuk janë njoftuar më parë nga autoritetet vendore.

“Burimet njerëzore të kompanive nuk janë përgatitur për një situatë të tillë, që do të kishin një ndalim kaq drastik të mjeteve ATP, krahasuar kjo me vitet e kaluara, kur kufizimet kanë qenë vetëm për furgonat mbi 1.5 ton. Këtë vit janë ndaluar të gjitha mjetet nga 300 kg deri në 3.5 ton. Kjo ka bërë që distribucioni i produkteve të ndryshme ushqimore dhe industriale të mos funksionojë gjatë këtyre dy ditëve. Këto dy ditë kompanitë kanë negociuar me punëmarrësit në lidhje me fashat orare, pasi punëmarrësit nuk kanë pranuar të punojnë turni i tretë.”- tha Artan Luku, kreu i Dhomës së Tregtisë në Durrës.

Për të zgjidhur këtë ngërç për biznesin, Dhoma e Tregtisë Durrës do t’i drejtohet bashkisë me propozime konkrete për të ndryshuar fashën orare të kufizimit të qarkullimit të mjeteve.

“Masat zbutëse që ne propozojmë nisin që nga fasha orare, që na duket e pamundur të implementohet. Do kërkojmë edhe tolerancë për mjetet ATP, që kanë tonazh të ulët 400-500 kg. Ky urdhër që është nxjerrë është i pamundur të implementohet, pasi Policia Bashkiake dhe të gjitha strukturat  e tjera do hasin në vështirësi të papërballueshme”- theksoi Luku.

Duke nisur nga data 1 gusht, bashkia Durrës ndërmori hapa konkrete për të lehtësuar trafikun në qytet dhe për të kthyer në pedonale, një nga bulevardet më të rëndësishëm të qytetit.

Bashkia bllokoi qarkullimin dhe parkimin e mjeteve në bulevardin “Epidamn”, përgjatë fashës orare 19.00 – 23.00, si dhe kufizoi qarkullimin e mjeteve të transportit të mallrave në lagjen nr.1 në rrugën Taulantia – Currila, në Unazën e brendshme, në rrethrrotullimin Dovana, tek Mazoleumi i Dëshmorëve, në rrugën “Aleksandër Goga”, në aksin rrugor Ura e Dajlanit – rruga Pavarsia, si dhe në Rrethrrotullimin e Plepave – rruga dytësore – Përroi i Agait.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat