Një mjek i Spitalit Rajonal Durrës është nën hetim pas denoncimit për neglizhencë mjekësore që dyshohet se çoi në humbjen e jetës së një foshnje.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 19 shkurt, kur shtetasja A.B. ka lindur fëmijën e saj në maternitetin e spitalit. Pas disa orësh, foshnja humbi jetën, ndërsa në kallëzimin e saj ajo akuzon mjekun me inicialet I.Sh., 43 vjeç, për neglizhencë.
“Materialet e referuara në Prokurori nga specialistët e Hetimit të Krimeve tregojnë se ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit I.Sh., mjek në Spitalin Rajonal Durrës, pas kallëzimit të shtetases A.B., e cila pretendon se foshnja e saj humbi jetën për shkak të neglizhencës së mjekut,” njofton policia.
Hetimet për rastin vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së Durrësit.