Të ofrohen më shumë mundësi për gratë në fushën e ndërmarrësisë - Bota Sot
Të ofrohen më shumë mundësi për gratë në fushën e ndërmarrësisë

Ekonomi

Të ofrohen më shumë mundësi për gratë në fushën e ndërmarrësisë

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 13:02
Oda Ekonomike Amerikane

Në vazhdën e aktiviteteve të shumta të cilat po organizohen me shënimin e Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi tryezë diskutimi mbi gratë ndërmarrëse në shoqërinë tonë kosovare, ku u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë për gratë në ndërmarrësi, por dhe në treg të punës në Kosovë.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, në hapje të diskutimit tha se përveç diskutimit mbi fuqizimin e grave në ndërmarrësi duhet të punohet më shumë në ofrimin e mundësive për t’u inkuadruar në fuqinë punëtore të Kosovës si dhe për t’i inkurajuar në zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.

Ardiana Bunjaku, Drejtoreshë Ekzekutive në Shoqatën e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar të Kosovës (SCAAK), ndau storjen e saj në rrugëtimin për të arritur suksesin në ndërmarrësi. Ajo njoftoi të pranishmit se edhe pse fillesat e ngritjes profesionale të saj datojnë në një kohë kur profesioni i saj ka qenë i dominuar nga burrat, kjo nuk ka qenë aspak dekurajim për të. Përkundrazi, Bunjaku tha se përkushtimi, vullneti, guximi, dhe qasja pozitive në profesion kanë ndikuar që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj profesional. Ajo inkurajoi të pranishmet që të mos ngurrojnë në zhvillimin e ideve të tyre të biznesit dhe të shfaqin dhe aplikojnë shkathtësitë e tyre në punë.

Melita Ymeraga, Themeluese dhe Menaxhere e Zhvillimit të Bzinesit në Melita & Partners, tha se përkundër sfidave të cilat i hasin në ndërmarrësi si femrat ashtu edhe meshkujt, suksesi është i sigurtë me përkushtim dhe punë. Ajo tha se një ndër faktorët kyç për të arritur sukses në këtë drejtim është investimi në vetveten për t’u ngritur profesionalisht dhe se “lodhja përkushtimi dhe sakrificat për të arritur deri aty janë hapa të cilët na largojnë nga zona e komfortit dhe na bëjnë që të mbërrijmë majat e suksesit.”     

Më tutje, Shemsije Dërmaku, Pronare e kompanisë Grand Décor, tha se edhe pse vështirësitë në fillim janë të shumta, nuk duhet të humbet kurajoja dhe vullneti që gratë kanë për t’u përfshirë në fuqi punëtore dhe për të zhvilluar bizneset e tyre. Ndërsa Teuta Kurshumlija, Menaxhere e Shitjes në Stone Castle, poashtu tha se aftësimi në aspektin profesional nuk përfundon vetëm brenda një kohe të shkurtër por vazhdon gjatë tërë jetës, duke ftuar të rinjtë të jenë më entuziastë për të punuar dhe zhvilluar idetë e tyre të biznesit në vendin e tyre. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test