Ministri i Financave, Bedri Hamza, në Konferencën ministrore për reformat në sistemin financiar në Vjenë të Austrisë, ka prezantuar reformat më të mëdha që janë bërë në fushën e financave në Kosovë.
Ai me këtë rast solli në mendjen e të pranishmëve që Kosova është dashur që të ndërtojë sistemin e vetë financiar që nga zeroja.
“Përkundër vështirësive, kjo na ka ofruar një mundësi që shumë praktika të mira t’i integrojmë në strukturën e sistemit tonë nga niveli lokal dhe qendror, nga një sistem i centralizuar në sistem të decentralizuar me përgjegjësi mirë të definuara në menaxhimin financiar, duke përfshirë edhe sistemin e kontrollit”, tha Hamza.
Ai bëri të ditur se në vitin e fundit në Kosovë janë përmirësuar keqklasikimet ekonomike në vlerë prej rreth 2.5% të totalit të shpenzimeve buxhetore, dhe njëherësh është përmirësuar edhe konsolidimi i entiteteve jashtë-buxhetore.
“Kemi bërë shumë përmirësime në transparencë. Kemi filluar me raportimin e serive mujore që janë lehtë të qasshme për publikun, buxhetin e qytetarëve, ndërsa së shpejti do të publikojmë një portal të avancuar transparence buxhetore, që mundëson vizualizimin e të dhënave financiare dhe buxhetore”, tha Hamza.
Ministri Hamza ritheksoi nevojën e shfrytëzimit të ditëve të mira fiskale për ta sforcuar sistemin e llogaridhënies dhe transparencës si dhe domosdoshmërinë e vlerësimit të reformave kontabël si vegël për zhvillim e jo si reformë teknike.