Goditje befasuese për Erdoganin, humbet Ankaranë dhe rrezikon edhe Stambollin

Evropë

Goditje befasuese për Erdoganin, humbet Ankaranë dhe rrezikon edhe Stambollin

Më: 1 prill 2019 Në ora: 08:58
Recep Tayyip Erdogan

Një goditje befasuese kanë sjellë zgjedhjet lokale të mbajtura një ditë më parë në Turqi, teksa partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka humbur kontrollin e kryeqytetit, Ankara, e kur kanë mbetur vetëm kutitë e fundit për t’u numëruar rrezikon edhe Stambollin.

Ky është një “grusht që të shpie në agoni” për personin që ka dominuar politikën turke për gati 16 vite. Sa i përket qytetit më të madh për nga popullsia, Stambollit, pretendime për fitoren e zgjedhjeve bashkiake kanë pasur si AKP-ja në pushtet, ashtu dhe CHP-ja në opozitë.

Megjithatë, në rang kombëtar, aleanca e udhëhequr nga partia AKP e presidentit ka fituar më shumë se 51% të votave në zgjedhjet lokale. Erdogan, sigurisht që nuk e ka pritur mirë rezultatin, por është munduar të minimizojë zhurmën e tyre, duke u shprehur se “edhe nëse kemi pasur ndonjë mangësi, është detyra jonë ta korrigjojmë atë”.

Image

Erdogan i kishte quajtur zgjedhjet e së dielës si diçka “jetike” për vendin dhe partinë e tij, pasi ato mbaheshin mes një periudhe tejet të rënduar ekonomike, aq sa mund të konsideroheshin edhe si një “referendum” për lidershipin e tij.

Më shumë se 57 milionë shtetas turq patën të drejtën e votës për zgjedhjet për kryebashkiakët dhe këshilltarët e rinj.

Por cilat janë rezultatet e deritanishme? Kandidati Mansur Yavas i Partisë Republikane Popullore (CHP) ka fituar qartazi në Ankara.

Image

Ndërkohë, Stambolli po shkon në një garë “kokë më kokë”, teksa fitorja do të ndahet me një marzh tejet të ulët votash. Kandidati i CHP-së, Ekrem Imamoglu ka deklaruar fitoren me afro 28 mijë vota diferencë, ndërkohë që AKP-ja ka shpallur fitoren e ish-kryeministrit Binali Yildirim me 4.000 vota përpara. Që të dy kandidatët raportohet të ketë marrë më shumë se 4 milionë vota secili.

Por, në duart e partisë opozitare ka rënë edhe qyteti i tretë më i madh i Turqisë, Izmiri.

Image

“Njerëzit kanë votuar në favor të demokracisë. Ata kanë zgjedhur demokracinë mbi gjithçka”, është shprehur udhëheqësi i opozitës, Kemal Kiliçdaroglu.

Ndonëse në Stamboll, mbështetësit e AKP-së së Erdoganit pushtuan rrugët me flamuj për të festuar triumfin, ishte Erdogani që i shtangu teksa fliste për fansat e tij në Ankara, kur la të kuptohej se AKP-ja mund të ketë humbur edhe kontrollin e Stambollit.

Image

Erdogan, gjithsesi u zotua ta fokusonte lidershipin e tij tek ekonomia e vendit, përpara zgjedhjeve kombëtare të programuara për t’u mbajtur në vitin 2023. Një gazetar i shquar turk, Rusen Çakir, tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte “po aq historik sa ai i vitit 1994”, duke iu referuar kështu vitit kur Erdogan u zgjodh kryebashkiak i Stambollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat