Koment: Të mos lexosh e shkruash dot - jo fat i pandryshueshëm

Evropë

Koment: Të mos lexosh e shkruash dot - jo fat i pandryshueshëm

Më: 9 maj 2019 Në ora: 12:22
Ilustrim

Në Gjermani ka mbi një milion analfabetë funksionalë - më pak se tetë vjet më parë. Por problemi mbetet dhe është me shumë anë, mendon Jens Thurau.

Para disa vitesh në televizionin gjerman u shfaq një reklamë publicitare: një i punësuar dhe shefi i tij. Shefi e pyet punonjësin e tij, a mund ta shkruajë një fjali që i thotë ai. Por fytyra e punonjësit ngrin dhe ai pranon atë që kishte dashur ta pranontee prej kohësh: "Unë nuk di as të shkruaj, as të lexoj". Për një moment, shefi mbetet i shtangur, pastaj ai i hedh dorën në sup punonjësit: "Hajde, duhet të bëjmë diçka për këtë".

Zhytja në vetmi

Po, po të ecte puna gjithmonë në këtë mënyrë. Po ta toleronte shoqëria analfabetizmin si cene të tjera. Por shpesh kjo nuk ndodh. Ai që në një botë tepër komplekse, të supershpejtuar, nuk zotëron as në jetën private dhe as në vendin e punës bazat e komunikimit, ai zhytet shumicën e herëve në një det turpi dhe frike nga dështimi. Dhe në fund në një det vetmie.

Fillimisht për shifrat: sipas një studimi aktual, me porosi të Ministrisë Federale të Arsimit, në vitin 2019 në Gjermani ka më pak persona që funksionojnë si analfabetë se tetë vjet të shkuara. Atëherë ishin 7,5 milionë, sot janë 6,2 milionë. Përballë 83 milionë banorëve kjo edhe më tej duket një shifër e lartë, për një nga fuqitë më të mëdha ekonomike të botës, aq më tepër në vendin e poetëve dhe të mendimtarëve. Por ato që të frikësojnë vërtet janë detajet e studimit: gati gjysma e atyre që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë gjermanisht janë me origjinë migrantësh dhe te ata gjuha e parë që kanë mësuar nuk ka qenë gjermanishtja. Shumë është folur vitet e shkuara për nevojën e një integrimi më të mirë dhe se sa është i rëndësishëm është në këtë drejtim roli i gjuhës gjermane. Shifra e konstatuar tani nënvizon sa e gjatë është ende rruga që kemi përpara.

Image
Jens Thurau

Dhe që para publikimit të studimit aktual, ekspertët e arsimit tërhiqnin vëmendjen, se gati 19 përqind e dhjetëvjeçarëve janë ajo që ekspertët i quajnë analfabetë "funksionalë". Gjë që do të thotë që nuk arrijnë të lexojnë për të qenë, që nuk e kuptojnë tekstin me të vërtetë. Tingëllon e tmerrshme, por është edhe një tipar i një kohe, kur në familje lexohet gjithnjë e më pak, kur celularët inteligjentë janë kthyer në mjetin më të rëndësishëm të komunikimit. Dërgimi me shpejtësi i një lajmi në Whatsupp nuk do të thotë se e ke aftësinë që të shprehesh vërtet në mënyrë gjithëpërfshirëse.

As turp dhe as fat i pandryshueshëm

Por faktin se sa shumë anë ka jeta, edhe pa pasur njohuri të mjaftueshme shkrimi dhe leximi, e tregon edhe kjo shifër: 62 përqind e njerëzve, që jetojnë me analfabetizëm funksional, e kanë një profesion - edhe nëse në shumicën e herëve jo një profesion me status të lartë. Të mos jesh në gjendje të lexosh dhe të shkruash, mund të thuash që nuk është as turp dhe as fat i pandryshueshëm, që duhet të pengojë një jetë të plotësuar. Dhe kjo nuk është e pandryshueshme as për të gjithë kohën. Siç e thamë: "Hajde, duhet të bëjmë diçka për këtë", kjo është në fakt përgjigjja më e mirë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat