Do të qëndrojë Merkel deri në përfundim të mandatit?

Evropë

Do të qëndrojë Merkel deri në përfundim të mandatit?

Më: 13 maj 2019 Në ora: 10:47
Angela Merkel dhe Annegret Kramp-Karrenbauer

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të mbetet në këtë post deri në zgjedhjet e ardhshme, pohon kryetarja e CDU Annegret Kramp-Karrenbauer. Por spekulimet vazhdojnë.

Annegret Kramp-Karrenbauer nuk planifikon të bëhet kancelare në dy vitet e ardhshme, që do të thotë se kancelarja Angela Merkel do të mbetet në këtë post deri në zgjedhjet e ardhshme. Këtë e bëri të ditur Kramp-Karrenbauer në një intervistë për gazetën Welt. Ish-kryeministrja e landit të Zarës  e njohur me nofkën AKK, thotë se qytetarët presin "me të drejtë" nga kancelarja Merkel që ajo të përfundojë edhe mandatin e katërt, të cilin e ka fituar në zgjedhjet e fundit.

Në këtë mënyrë AKK u ka dhënë fund spekulimeve për mundësinë që kancelarja Merkel të largohet para kohe nga posti i saj dhe nga politika aktive në Gjermani, sepse kancelarja Merkel është propozuar nga shumë qarqe që të marrë ndonjë post në Bashkimin Evropian apo në Kombet e Bashkuara. AKK ka deklaruar diçka të tillë edhe në një intervistë për Deutsche Wellen, pasi e fitoi postin e kryetares së Partisë Kristiandemokrate, CDU.

Image
Angela Merkel dhe Annegret Kramp-Karrenbauer

Por shumëkush ende mendon se AKK mund të marrë postin e kancelares para përfundimit të mandatit të tanishëm të kancelares Merkel, e cila në këtë post do të duhej të mbetej deri në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021. Logjika e një vendimi të tillë do të ishte që AKK nga posti i kancelares të ketë një lloj "kredie", që do ta ndihmonte të zgjidhej më lehtë në postin e kancelares, në zgjedhjet e ardhshme.

E dyta, kjo do të ishte një përgjigje e qartë edhe ndaj kritikëve të AKK, të cilët ende mendojnë se Friedrich Merz do të ishte kandidat më i mirë për postin e kancelarit.

Kramp-Karrenbauer është zgjedhur në dhjetor në postin e kryetares së CDU me 517 vota të delegatëve, ndërsa Merz ka fituar 482 vota. Prej këtij kongresi po punohet brenda partisë për bashkimin e forcave, sepse në sondazhe thuhet se partia CDU ka shënuar rënie të votave.

Image
Annegret Kramp-Karrenbauer

AKK ka deklaruar për gazetën Welt se pas zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian duhet të ndryshojë edhe puna e qeverisë. Por AKK pohon se vendimin për ndryshimin eventual në kabinetin qeveritar do ta marrë kancelarja Merkel. Shefja e CDU-së nuk dëshiron të marrë ndonjë post ministror, thotë ajo.

Në sondazhet e fundit thuhet se CDU ende është partia më e fuqishme në Gjermani, me rreth 29-30% të votave, që do të thotë se nga zgjedhjet e fundit ka shënuar rënie për 3%. Në vendin e dytë janë Partia Ekologjiste (19-20%). Pasojnë socialdemokratët (16-17%), Alternativa për Gjermani (13-14%) si dhe e Majta dhe liberalët me 8-9% të votave./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat