Vazhdojnë grevat e punëtorëve në Francë, paralizohet transporti publik

Evropë

Vazhdojnë grevat e punëtorëve në Francë, paralizohet transporti publik

Më: 9 dhjetor 2019 Në ora: 10:38
Foto

Punëtorët dhe turistët francezë u përgatitën për ditën e pestë të kaosit në transportin publik të hënën, ndërsa qeveria pritet t’i përgjigjet zemërimit të gjerë rreth reformave të paralajmëruara në sistemin pensional.

Presidenti Emmanuel Macron, kryeministri Edouard Philippe dhe ministrat e kabinetit qeveritar u takuan në orët e vona të së dielën për të biseduar rreth reformave problematike, për të cilat sindikatat e punëtorëve thonë se do t’i detyrojnë shumë njerëz që të punojnë më gjatë për një pagesë më të vogël pensionale.

Në kohën kur sindikatat dhe qeveria kanë paralajmëruar se nuk do të heqin dorë nga greva, respektivisht zbatimi i reformave, bizneset kanë filluar t’i numërojnë dëmet e grevës që filloi të enjten e kaluar, kur rreth 800 mijë njerëz dolën në rrugë në mbarë Francën kundër unifikimit të sistemit pensional.

Këto greva i shkaktuan bllokimin e udhëtarëve, mbylljen e shkollave dhe rënien e të ardhurave në sektorët e turizmit dhe shitjeve me pakicë.

Greva më e madhe e viteve të fundit erdhi në kohën kur ekonomia e Francës edhe ashtu është dëmtuar nga protestat e vazhdueshme të jelekverdhëve, të cilët i kundërshtuan rritjen e çmimit të naftës dhe shkallën e lartë të papunësisë.

Shoqata e hoteleve tha se vetë gjatë ditës së parë të grevës, rezervimet për dhomat e tyre ranë për 30 deri 40 për qind, shkruan “France24”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat