Mijëra britanikë vërshojnë kafenetë, policia kritikon sjelljen e qytetarëve - Bota Sot
Mijëra britanikë vërshojnë kafenetë, policia kritikon sjelljen e qytetarëve

Evropë

Mijëra britanikë vërshojnë kafenetë, policia kritikon sjelljen e qytetarëve

Më: 5 korrik 2020 Në ora: 20:48
Britani

Në ditën e parë kur Britania ka hyrë në fazën e lehtësimit më të madh të kufizimeve për parandalimin e koronavirusit, me mijëra njerëzit kanë vërshuar kafenetë, disa prej tyre duke thyer rregullat e distancimit fizik dhe madje duke shkaktuar edhe trazira.

Lehtësimet e kufizimeve mundësuan hapjen e kafeneve, dhe e shtuna që shkoi u quajt “Super e Shtuna” në Britani, ku shumë njerëz dolën për të pirë nëpër oborre të kafeneve dhe rrugë.

Mirëpo prishja e rendit në disa pjesë të këtij shteti shkaktoi edhe mbylljen e kafeneve më herët se që duhej, dhe policia bëri shumë arrestime pas përleshjeve të dhunshme, shkruan Sky News.

John Apter, Kryetari i Federatës së Policëve për Anglinë dhe Walesin, kritikoi sjelljen e disa njerëzve të dehur dhe tha se ishte “e qartë si loti” se ata nuk do t’i përmbaheshin rregullit të distancimit, ku kërkohet nga të gjithë që të rrinë nga një metër larg njëri-tjetrit për të kufizuar infektimin.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar: “E mbarova ndërrimin e natës. Një ndërrim i vështirë, ngase kishim punë me sjellje të dhunshme, njerëz të zhveshur, të droguar, të dehur, përleshje, edhe më shumë të alkoolizuar agresivë, dhe u quajta një derr fashist nga dikush që po përpiqeshim t’i ndihmonim”.

“Një gjë që është e qartë si loti, njerëzit nuk janë në gjendje dhe nuk do të mbajnë distancimin social,” shto ai.

Sidoqoftë në një sondazh të bërë nga agjencia Opinium, shumica e britanikëve janë shprehur se hapja e kafeneve dhe restoranteve është bërë shumë herët.

Adam Drummond, kreu për sondazhe politike në Opinium tha: “Edhe pse qeveria ka dëshirë të rihapë vendin sa më shpejt, njerëzit janë duke shikuar përpara me frikë dhe mendojnë se ky lehtësim është vetëm i përkohshëm”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat