Hulumtimi i realizuar në Spanjë tregon se nuk duhet “vrapuar” pas imunitetit të tufës, do të kishte shumë viktima - Bota Sot
Hulumtimi i realizuar në Spanjë tregon se nuk duhet “vrapuar” pas imunitetit të tufës, do të kishte shumë viktima

Evropë

Hulumtimi i realizuar në Spanjë tregon se nuk duhet “vrapuar” pas imunitetit të tufës, do të kishte shumë viktima

Më: 7 korrik 2020 Në ora: 15:46
Spanja

Një studim i gjerë i realizuar në Spanjë sa i përket coronavirusit, ka zbuluar se vetëm 5 për qind e popullsisë ka zhvilluar antitrupat ndaj COVID-19, duke mbështetur më tej provat e mëparshme se është pothuajse e pamundur të arrihet imuniteti i tufës pa një numër të madh viktimash, shkruan BBC.

Imuniteti i tufës ndodh kur një numër mjaftueshëm i madh i popullatës infektohen me virus apo baktere duke u bërë imun ndaj tyre, apo nëse zhvillohet ndonjë vaksinë efikase që mbron nga infeksioni i mëtejmë.

Qendra evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve ka njoftuar se është një prej testeve më të mëdha serologjike për COVID-19. Studimi është realizuar me sukses duke anketuar mbi 61 mijë persona.

Studime të ngjashme janë bërë edhe në SHBA dhe Kinë, ku gjithashtu kanë treguar se shumica e popullatës kanë qenë të ndjeshëm ndaj coronavirusit, madje edhe në rajonet ku ka pasur më shumë vatra dhe numër dukshëm të madh të infektuarve.

“Në dritën e këtyre gjetjeve, çdo qasje ndaj një pandemie që sugjeron arritjen e imunitetit të tufës ndaj infeksioneve natyrore nuk është vetëm joetike, por e paarritshme”, ka deklaruar virologjia Isabella Ekerle, shefe e qendrës për sëmundje virale Benjamin Majer në Gjenevë.

Mjekët ende nuk janë të sigurtë sesa gjatë antitrupat ofrojnë mbrojtje, apo nëse plotësisht na mbrojnë ato nga infeksionet e reja.

Ky hulumtim është kryer nga agjencitë shtetërore të Spanjës për hulumtime dhe epidemiologji, kurse punën e filluan në fillim të prillit në kohën kur ky shtet ishte nën masa të rrepta të karantinimit.

“Seroprevalenca relativisht e ulët që është vërejtur në kontekstin e epidemisë intensive në Spanjë, mund të shërbejë si referencë për vendet e tjera. Aktualisht është vështirë të arrihet imuniteti i tufës pa u shkaktuar dëme kolaterale, dmth pa një numër të madh të vdekjeve në popullata të cenueshme, dhe që kanë një sistem shëndetësor të mbingarkuar”, thuhet në studim.

Marina Pollan, udhëheqëse e ekipit të studimit dhe njëherit drejtoreshë e Qendrës Nacionale për Epidemiologji në Spanjë, ka deklaruar për CNN se shumë ekspertë besojnë se “imuniteti i tufës kërkon zhvillimin e antitrupave tek 60 për qind e popullatës”.

Spanja është një nga vendet që është goditur më së shumti nga pandemia e coronavirusit në Evropë. Deri më tani në këtë vend janë raportuar më shumë se 290 mijë raste dhe të paktën 28 mijë vdekje.

Vlen të theksohet se në periferi të qytetit të Madridit që është goditur më së shumti nga COVID-19, janë shënuar mbi 10 për qind e popullsisë që kanë zhvilluar imunitet ndaj coronavirusit, derisa në Barcelonë 7 për qind e popullatës kanë pasur antitrupa. Në anën tjetër, shumë rajone tjera të Spanjës kanë pasur përqindje më të vogël të imunitetit.

Bazuar në rezultatet e fazës së parë të hulumtimit që është realizuar nga 27 prill deri më 10 maj, imunitet kanë zhvilluar vetëm 5 për qind e popullatës në Spanjë. Rezultatet e fazës së dytë që janë publikuar më 4 qershor, tregojnë se 5.2 për qind e spanjollëve kanë pasur antitrupa. Rezultatet e fazës së tretë dhe njëherit të fundit janë publikuar sot, që mbështesin të dhënat e fazave të mëparshme, që vetëm 5.2 për qind e popullatës në Spanjë kanë zhvilluar imunitet mbi COVID-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat