Të dielën mbahen zgjedhjet në Bjellorusi - Bota Sot
Të dielën mbahen zgjedhjet në Bjellorusi

Evropë

Të dielën mbahen zgjedhjet në Bjellorusi

Më: 7 gusht 2020 Në ora: 17:14
Bjellorusi

Një mësuese 37-vjeçare pa përvojë politike është bërë një sfiduese e papritur për Presidentin e Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko - i njohur gjerësisht në Perëndim si 'diktatori i fundit i Evropës'. Turma të mëdha kanë dalë të mbështesin kandidaten presidenciale të opozitës javët e fundit - por nuk është e qartë nëse shfaqja e "vullnetit të popullit" do të pasqyrohet në zgjedhjet e së dielës.

Sviatlana Xikanaskaja ishte e panjohur vetëm disa muaj më parë. Megjithatë të dielën e kaluar, njëzet mijë njerëz dolën për këtë tubim në një qytet të vogël pranë kufirit polak. Ajo ka përvetësuar artin e nxitjes së retorikës politike.

“Kur Sviatlana Xikanaskaja të bëhet presidente e Bjellorusisë, ne mund të mbajmë zgjedhje të reja të drejta dhe transparente, ku mund të zgjidhet presidenti i denjë për këtë vend”, thotë Sviatlana Xikanaskaja.

Xikanaskaja hyri në garë pas arrestimit të bashkëshortit të saj - i cili kishte planifikuar të kandidonte vetë për president. Kandidatët e tjerë gjithashtu u arrestuan. Opozita është bashkuar kryesisht rreth Tsikhanouskaya-së.

“Hap pas hapi, dita ditës, kuptova: të gjithë duan ndryshim. Dhe unë isha atje për ta”, thotë Xikanaskaja.

Ky mesazh ka rezonuar me mbështetësit.

"Unë jam 45 vjeç dhe kam jetuar gjithë jetën time me këtë president (Lukashenko). Dhe tani nuk shoh ndonjë perspektivë për vendin, veçanërisht për fëmijët e mi", thotë Vlad Tsikhanouskaya, mbështetës i kandidates.

Por shanset janë kundër kandidates Xikanaskaja. Ajo garon kundër presidentit Alexander Lukashenko - i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vitet e fundit.

"Sigurisht, është shumë e vështirë për të të fitojë, sepse duket se komisioni zgjedhor do të falsifikojë zgjedhjet dhe sigurisht që policia është gati për të na shtypur", thotë Ryhor Astapenia, analist me organizatën Chatham House.

Lukashenko përballet me sfida përtej rivales së tij të befasishme - përfshirë kritikat për trajtimin e pandemisë së koronavirusit.

Bjellorusia është thellësisht e varur nga Rusia - por ajo marrëdhënie po bëhet e sforcuar. Javën e kaluar Bjellorusia arrestoi 33 kontraktorë rusë të sigurimit pranë Minskut, duke i akuzuar ata se po planifikonin të destabilizonin vendin. Moska i ka hedhur poshtë akuzat.

Çështje të tjera po shkaktojnë tensione.

"Që nga viti 2014 kur Lukashenko nuk pranoi të mbështesë Rusinë në agresionin e saj ndaj Ukrainës, marrëdhëniet janë keqësuar", thotë analisti Ryhor Astapenia.

Lukashenko është duke provuar një akt balancues.

"Rusia ka frikë të na humbasë sepse nuk ka vërtetë aleatë të afërt përveç nesh. Dhe Perëndimi ka treguar interesim në rritje për ne", thotë presidenti Alexander Lukashenko.

Pak njerëz presin një fitore të Xikanaskaja-s të dielën. Ajo që do të ndodh më pas varet nga reagimi i njerëzve.

"Shumë njerëz do të protestojnë, por ekziston një pikëpyetje e madhe se sa prej tyre do të dalin vërtet. Nëse do të ketë 25-mijë njerëz, policia bjelloruse do ta shpërndajë atë protestë, jo lehtë, por kanë aftësi ta bëjnë këtë. Por nëse 200 mijë njerëz do të mbushin rrugët, atëhere mendoj se autoritetet do ta kenë të vështirë", thotë analisti.

Forcat e sigurisë kanë bërë qindra arrestime - por tek Xikanaskaja, ata kanë gjetur simbolin e shpresës./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat