6.700 demonstrues të arrestuar në Bjellorusi

Evropë

6.700 demonstrues të arrestuar në Bjellorusi

Më: 13 gusht 2020 Në ora: 11:52
Bjellorusi

Ministria e Punëve të Brendshme Bjelloruse njoftoi se 700 demonstrues të tjerë u arrestuan mbrëmë, në ditën e katërt të protestave pas zgjedhjeve.

Kështu, numri i përgjithshëm i të arrestuarve është rritur në 6.700 që nga fillimi i protestave.

Ministria tha në një deklaratë se trazirat kishin "humbur karakterin e tyre masiv", por se "niveli i agresionit ndaj forcave të sigurisë është ende i lartë", raporton AFP.

Ministria tha se 103 oficerë policie u plagosën këtë javë, 28 prej tyre janë në spitale.

Nuk bëhet e ditur për numrin e demonstruesve të plagosur, kundër të cilëve policia, përveç gazit lotsjellës dhe shkopinjve, përdori edhe plumba gome dhe bomba shoku.

Mijëra bjellorusë protestuan mbrëmë në Minsk dhe qytete të tjera, dhe AP raporton se qindra njerëz janë në rrugët e kryeqytetit edhe këtë mëngjes.

Protestuesit pretendojnë se zgjedhjet, të mbajtura të dielën, u vodhën në mënyrë që presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, të zgjasë sundimin e tij autoritar 26-vjeçar.

Sipas rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, Lukashenko fitoi 80 për qind të votave, dhe kundërshtarja e tij kryesore Svetlana Tikhanovskaya 10 për qind.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat