Vaksina e firmës Pfizer fillon të përdoret brenda disa ditësh në Britani

Evropë

Vaksina e firmës Pfizer fillon të përdoret brenda disa ditësh në Britani

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 19:20
Foto ilustrim

Britania miratoi përdorimin e vaksinës për koronavirus të prodhuar nga kompania farmaceutike Pfizer, ndërsa planifikon që të fillojë shpërndarjen ditët e ardhshme. Kjo shënon një moment të rëndësishën në betejën me pandeminë COVID-19, ndonëse sfidat vazhdojnë të egzistojnë. Britania njoftoi se planifikon që nga fillimi i javës së ardhshme të fillojë shpërndarjen e vaksinës Pfizer-BioNTech, pas miratimit të vaksinës nga enti rregullator.

“Miratimi u bë me procedurë të përshpejtuar. Kjo përdoret për vlerësimin e një ilaçi premtues në një situatë kur nuk ke kohë për të humbur. Por kjo nuk do të thotë që jemi ngutur”, thotë dr. June Raine, kryetare e Entit Rregullator të Ilaçeve në Britani.

Pfizer pritet që gjatë ditëve të ardhshme të dërgojë 800 mijë doza në Britani. Deri tani, qeveria ka porositur 40 milionë doza, të mjaftueshme për vaksinimin e 20 milionë njerëzve.

Të parët që do të vaksinohen janë banorët e qendrave të kudjesit afatgjatë dhe punëtorët e shëndetësisë që kurojnë pacientët me COVID. Të moshuarit dhe ata me sëmundje të rënda vijnë pastaj. Të rriturit e shëndetshëm do të duhet të presin disa muaj.

“Ende nuk dihet nëse vaksina vetëm parandalon sëmundjen, ose nëse pengon infektimin e njerëzve me virus dhe transmetimin tek të tjerët”, thotë Dr.Simon Clarke, mikrobiolog nga Universiteti Reading.

Egzistojnë shumë sfida për të bindur një publik skeptik.

“Ka shumë gjëra që ne nuk i dimë, pasi nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të vërtetohet nëse vaksinat janë të sigurta”, thotë Samatha London, muzikante në Londër.

“Padyshim që unë dhe familja ime do të vaksinohemi sepse duhet t’i kthehemi normalitetit”, thotë Abi Babalola, banore e Londrës.

Edhe vende të tjera të zhvilluara kanë porositur miliona doza të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Vaksina e firmës Pfizer kërkon të ruhet në temperaturë minus 70 gradë celsius, sfidë kjo aktualisht e pamundur për vendet e varfëra si Malavia./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat