Përgjime masive: Shërbimi i fshehtë gjerman, BND sërish nën presion

Evropë

Përgjime masive: Shërbimi i fshehtë gjerman, BND sërish nën presion

Më: 15 janar 2021 Në ora: 10:31
Ilustrim

Shërbimi i fshehtë gjerman kontrollon qindra miliona emaila në vit. Prej shumë vitesh, organizata "Reporterët pa kufij" e kundërshton këtë praktikë. Tani i është drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) me qendër në Strasburg, Francë, tani po bën atë që drejtësia gjermane e refuzoi në vitin 2016: Po shqyrton një aneksë të organizatës “Reporterë pa Kufi” (RoG) mbi përgjimet masive të paarsyetuara të komunikimeve elektronike nga ana e Shërbimit të fshehtë gjerman, BND.

Gjykata Federale Administrative në Leipzig e refuzoi ankesën e atëhershme të shoqatës së njohur, pasi sipas saj, Reporterët pa Kufi nuk kishin prova se ishin të prekur nga përgjimet. Kryetari i kësaj organizate, Christian Mihr, është optimist se ankesa e kësaj radhe në Strasburg nuk do të ketë të njëjtin fat. Kjo ka të bëjë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, në maj 2020, i cili thotë se praktika e shërbimit e fshetë nuk përputhet me të drejtën e njeriut për privatësi dhe lirinë e shtypit.

Image
Christain MIhr, drejtori ekzskutiv i Organizatës Reporterët pa kufi

Qeveria gjermane e rezervuar

Tani e ka radhën pala zyrtare, pra, qeveria gjermane që të shprehet rreth kësaj ankese. Deri në mars, ajo mund të kërkojë që palët të bien dakord pa gjyq. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert, i pyetur nga DW, tha se qeveria po e shqyrton rastin, dhe nuk donte të jepte hollësi të mëtejshme.

Në qendër të ankesës 20-faqëshe është neni 10 i Ligjit Themeltar të Gjermanisë, ku garantohet e drejta e fshehtësisë së letrave, postës dhe komunikimit me telefon. Ajo preket vetëm në raste shumë të rënda, për mbrojtjen nga terrorizmi ose nga sulmet kibernetike ose në luftën kundër krimit të organizuar.

Përgjim pa shkak

Në ankesën e saj RoG akuzon shërbimin e fshehtë gjerman se faktikisht bën përgjime masive dhe pa shkak, duke përgjuar nyjet e komunikimit në internetit. Sipas RoG, BND kontrollon kështu me qindra milionë emaila, që përmbajnë fjalë kyçe të dyshimta. BND thotë se nuk e kontrollon komunikimin elektronik që ndodh brenda Gjermanisë, sepse për këtë nuk ka kompetenca. Por deri tani shërbimi i fshehtë gjerman nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të logjikshëm se si arrin ta ndajë komunikimin e brendshëm nga ai i jashtëm. Një shembull banal është ai i adresave ndërkombëtare që përfundojnë me .com , me të cilat janë regjistruar edhe shumë gazetarë vendas, ndër to edhe Deutsche Welle. 

RoG ankohet se të prekurit nuk e mësojnë kurrë që kanë rënë kështu në rrjetin përgjues të BND. Publiku informohet për akritivitet e BND vetëm nga raportet vjetore parlamentare të Komisionit kontrollues të shërbimit të fshehtë në Bundestag, dhe vetëm atëherë kur këto të dhëna që grumbullon shërbimi i fshehtë fshihen.

Andre Hahn, deputeti i Të Majtës, anëtar i komisionit parlaamentar që mbikqyr shërbimin e fshehtë, e quan këtë ankesë një hap të rëndësishëm. “Trajtimi juridik i praktikave përgjuese të Shërbimit të Fshehtë në nyjen më të madhe të internetit në botë, në Frankfurt mbi Majn, duhej të ishte bërë prej kohësh”, thotë ai për DW.

Image
Andre Hahn, deputet i së Majtës, anëtar i komisionit parlamentar të Bundestagut që kontrollon shërbimet e fshehta

Një dokument me rëndësi historike për të drejtat e njeriut është raporti vjetor i Komisionit Parlamentar Kontrollues të Shërbimit të Fshehtë i vitit 2013. Aty del në pah se shërbimi i fshehtë gjerman ka kontrolluar me qindra milionë emaila që përmbanin së paku njërën nga 12 523 fjalët kyçe të kategorizuara si të dyshimta. 15 401 emaila ranë në rrjetin e përgjemit, dhe vetëm 118 përmbanin informacione relevante për shërbimin e fshehtë.

RoG tani dëshiron të dijë se sa herë është përgjuar vetë. Nëse RoG fiton në Strasburg, atëherë BND do të duhet t’i informojë njerëzit që janë përgjuar pa shkak. Të prekurit do të kishin mundësinë kështu të ankoheshin zyrtarisht për spiunimin që iu është bërë. Sipas RoG ky do të ishte një mesazh me efekt përtej kufijve të Gjermanisë. Por sido që të përfundojë procesi në Strasburg, sipas Andre Hahn, kjo ankesë drejt Strasburgut është një gur kilometrazhi në historinë e të drejtave qytetare./DW/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat