Në Spanjë po mbushen sërish spitalet, po rritet ankthi dhe rraskapitja e bluzave të bardha

Evropë

Në Spanjë po mbushen sërish spitalet, po rritet ankthi dhe rraskapitja e bluzave të bardha

Më: 25 janar 2021 Në ora: 09:00
Foto ilustrim

Rritja e pandërprerë e infeksioneve nga Covid-19 në Spanjë pas sezonit të festave, po sforcon përsëri spitalet, duke kërcënuar shëndetin mendor të mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë qenë në krye të pandemisë për gati një vit, raporton AP.

Në Spitalin del Mar të Barcelonës numri i pacientëve është dyfishuar, duke mbushur më shumë se 80% të shtretërve  të spitalit.

“Ka të rinj të moshës 20 vjeçare dhe të moshuar 80 vjeçare, të gjitha grupmoshat,” tha Dr.Joan Ramon Masclans. “Kjo është shumë e vështirë, pacientët vijnë njëri pas tjetrit.”

Edhe pse autoritetet lejuan grumbullimet deri në  10 persona për Krishtlindje, Mascllans zgjodhi të mos bashkohej me familjen e tij dhe i kaloi pushimet vetëm me partneren.

“Ne e bëmë atë për të ruajtur shëndetin tonë dhe të të tjerëve. Por kur shikon se kjo nuk po zbatohet nga persona të tjerë, shkakton zemërim të konsiderueshëm duke shtuar lodhjen ,” tha ai.

Një studim i kryer nga Spitali del Mar këtë muaj zbuloi se të paktën 28% e punonjësve shëndetësorë në të gjithë Spanjën vuanin nga depresioni.

“Kjo është gjashtë herë më e lartë se norma  në popullsinë e përgjithshme para pandemisë,” tha Dr.Jordi Alonso, një nga studiuesit kryesorë.

Për më tepër studimi tregoi se gati gjysma e pjesëmarrësve kishin një rrezik më të lartë ankthi, çrregullime të stresit post-traumatik, sulme paniku ose probleme të abuzimit me alkoolin.

Në Kinë, nivelet e çrregullimeve mendore tek mjekët dhe infermierët ishin më të larta, rreth 50 % vuanin nga depresioni, 45% nga ankthi dhe 34 % nga pagjumësia, sipas OBSH.

Në Angli një sondazh i kryer javën e kaluar nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve zbuloi se 64% e mjekëve raportuan se ndiheshin të lodhur dhe të rraskapitur. Një në katër kërkoi mbështetje për shëndetin mendor.

“Është shumë e tmerrshme kjo që po ndodh në botën e mjekësisë,” tha Dr.Andreë Doogard gjatë një deklarate. “Pranimet në spital janë në nivelet më të larta, stafi është i rraskapitur, dhe megjithëse ka dritë në fund të tunelit , kjo dritë duket shumë larg.”

Grupi më i prekur i punonjësve të kujdesit shëndetësor, sipas studimit ishin infermierët dhe ndihmësit e infermierëve, të cilët në shumicën e rasteve janë gra dhe emigrantë.

Ata kaluan më shumë kohë me pacientët që vdisnin nga Covid-19, u përballën me kushte të dobëta të punës, paga të ulëta dhe kishin frikë nga infektimi i anëtarëve të tjerë të familjes.

“Kjo është shumë e vështirë për njerëzit që po mbajnë dorën e këtyre pacientëve edhe pse e dinë që do të vdesin,” tha Desiree Ruiz, infermiere mbikëqyrëse në Spitalin del Mar.

Shpërthimi i fundit i virusit pothuajse ka dyfishuar numrin e rasteve ditore dhe Spanja tani ka nivelin e tretë më të lartë të infektimit me Covid-19 në Evropë.

Por ndryshe nga vendet evropiane, ministri spanjoll i shëndetësisë për momentin ka përjashtuar mundësinë e një bllokimi të ri, duke u mbështetur ne kufizime më pak drastike që nuk janë aq të dëmshme për ekonominë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat