Gjendja e lirisë së shtypit në Turqi; situata e karikaturistëve politikë

Evropë

Gjendja e lirisë së shtypit në Turqi; situata e karikaturistëve politikë

Më: 6 shkurt 2021 Në ora: 22:30
Turqi

Karikaturistët politikë në Turqi përballen me sfida, njëlloj si kolegët e tyre gazetarë. Ju njohim me njërin prej tyre.

Atyre që e shohin në rrugë nuk do t’u shkonte mendja kurrë se Tuncay Akgün është luftëtar i vijës së frontit në betejën për lirinë e shtypit në Turqi. Ai nuk është komentator gazetash, nuk drejton grupe politike dhe as nuk shfaqet në televizione. Por, nga zyra e tij e vogël në Stamboll, ai bën që vizatimet e tij të flasin. Akgün është karikaturist politik dhe bashkë-themelues i revistës satirike LeMan, e njohur për kopertinat fshikulluese dhe humorin therës. Është një nga revistat e përjavshme më të njohura të Turqisë që thumbon pa frikë qeverinë.

"Ne vazhdojmë të jetojmë me një regjim njëpartiak që po bëhet gjithnjë e më autoritar. Jemi dëshmitarë të institucioneve qeveritare të korruptuara, që nuk funksionojnë si duhet, përfshirë legjislativin dhe gjyqësorin, madje edhe mediat tani janë bërë krejtësisht jofunksionale", thotë zoti Akgün.

Si kryeredaktor i revistës, Akgün ka skicuar qindra kopertina. Është një sfidë që kërkon t’i përgjigjesh ndryshimit të shpejtë të ngjarjeve.

“Kjo lloj pune që ne bëjmë - satira politike - është një fushë shumë dinamike. Ne duhet të jemi krijues dhe të shpejtë në atë që prodhojmë - kjo është shumë e rëndësishme. Unë besoj se revistat satirike, historikisht, kanë qenë dhe janë gjithmonë të suksesshme dhe efektive”, thotë ai.

Satira politike dhe karikatura kanë qenë prej kohësh një pjesë e kulturës së Turqisë, një traditë më e vjetër se vetë Republika. Në vitet 1870, karikaturisti i parë politik i vendit, Teodor Kasap, vizatoi të prangosur personazhin e një drame të famshme turke. Ishte një lutje për lirinë e shprehjes. Dhe kjo bëri që ai të përfundonte në burg. Një varg i gjatë karikaturistësh ndoqën shembullin e tij. Vizatimet e tyre shtuan mençuri dhe kritikë në ligjërimin politik, e bënë më të kuptueshëm. Ashtu si Teodor Kasap, ata paguan një çmim, veçanërisht nën regjimin e Erdoganit.

“Revista të satirës politike si LeMan kanë prodhuar kritika shumë shumë thumbuese, shumë therëse. Mes mbështetësve të Erdoganit ekziston perceptimi se ai është mbi kritikën, se është i paprekshëm, se është pothuajse një figurë shpirtërore mbi të cilin nuk mund të hidhen dyshime”, thotë Lisel Hintz, Profesore e Asociuar, në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins.

Ashtu si Akgün, karikaturisti Musa Kart nuk mendon se Erdogani është mbi kritikën. Karikaturat e tij therëse e bënë Presidentin të padisë Musa Kartin dy herë për shpifje, të dyja herët pa sukses. Megjithatë Erdogani nuk dorëzohet. Kjo seri ilustrimesh e karikaturistit Pedro Molina dhe të tjerë tregon përpjekjet e Erdoganit për t’i mbyllur gojën artistit, i cili është fitues i disa çmimeve. Pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, prokurorët turq ngritën akuzë kundër Kartit dhe kolegëve të tij në gazetën opozitare Cumhuriyet. Akuza ishte: ndihmë për një organizatë terroriste të armatosur, pa qenë anëtar i saj. Megjithë protestat në të gjithë botën, dhe pasi apelimet e tij dështuan, Kart u burgos në prill 2019.

"Kur shikon arsyet e burgosjes së Musa Kartit, të duken krejt absurde. Shumë e çuditshme. Nuk është diçka që mund ta shpjegosh me ligj dhe brenda arsyes", thotë zoti Akgün.

"Kur burgos një karikaturist, ose kur kërcënon një revistë satirike me ndëshkim, ajo që në fakt kërcënohet është liria e shtypit. Ata që kufizojnë liritë janë fajtorët e vërtetë", thotë avokatja e Gazetës Cumhuriyet, Fikret Ilkiz.

Zoti Akgün ka arritur të qëndrojë jashtë burgut nën regjimin e Erdoganit, por një nga kopertinat e tij, e publikuar pak ditë pas përpjekjes për grusht shteti, bëri që një turmë e zemëruar të sulmonte zyrat e revistës LeMan. Turma pretendonte se kopertina fyente presidentin - një krim sipas ligjit turk - duke e portretizuar atë si një lojtar pokeri që vinte civilët përballë puçistëve. Postimet në rrjetet sociale e ndezën më tej zemërimin.

“Ne kemi qenë shpesh në shënjestër të këtyre lloj sulmeve. Në Turqi, kjo quhet linçim. Gjëra të tilla kanë ndodhur, për shembull për një karikaturë, ose një kopertinë. Në mediat sociale del si rastësisht një ushtri personash që na dënon. Në fakt ata janë pjesë e një përpjekjeje të organizuar dhe sistematike", tregon ai.

Fuqia e karikaturave është e tillë që mund të nxisë dhunë, si sulmi vdekjeprurës ndaj zyrave të revistës satirike Charlie Hebdo në Paris, një reagim ndaj vizatimeve të Profetit Muhamed. Karikaturistët në të gjithë globin u përgjigjën me solidaritet, duke përfshirë revistën LeMan.

“Marrëdhënia jonë me stafin e revistës Charlie Hebdo nis që nga fillimi i viteve 2000. Me kalimin e kohës zumë mjaft miqësi me ta. Kur ata u masakruan, kjo ishte një goditje e madhe, një traumë e madhe për ne. Të gjithë mendonim: Po sikur të ishim ne vetë në shënjestër të sulmit? U pikëlluam shumë dhe mbresa ishte e pashlyer”, thotë zoti Akgün.

“Charlie Hebdo ndryshoi gjithçka për karikaturistët. Ajo ngjarje e shtoi rrezikun në një nivel që ne nuk e kishim provuar ndonjëherë. Një karikaturist duhet të durojë kërcënime pa fund. Që nga emailet dhe letrat kërcënuese e deri te fushatat publike. Por pas ngjarjes me revistën Charlie Hebdo, sot karikaturistët janë në rrezik të vërtet për jetën”, thotë Matt Wuerker, karikaturist politik me revistën Politico.

Zoti Akgün i njeh rreziqet dhe është bërë më i kujdesshëm.

"Kam frikë nga gjërat që nuk mund t'i parashikoj, nga pasojat që ato mund të kenë. Për shkak të atmosferës që ekziston sot”, thotë ai.

Por frika nuk e ndal Akgünin të flasë kundër qeverisë. Dhe ai do të vazhdojë të rezistojë çdo javë, si një luftëtar që përdor lapsin, që flet në emër të lirisë me vizatimet e tij.

Tuncay Akgün vazhdon punën si kryeredaktor në revistën LeMan. Ashtu si karikaturistët dhe gazetarët e tjerë turq, ai mbetet objekt i përndjekjes./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat