Vrasjet e turqve, Ankaraja thërret ambasadorin e SHBA

Evropë

Vrasjet e turqve, Ankaraja thërret ambasadorin e SHBA

Më: 15 shkurt 2021 Në ora: 19:08
Foto

Turqia thirri të hënën ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Ankara për t’i përcjellë "me termat më të forta", siç u shpreh ajo, reagimin ndaj një deklarate amerikane mbi vrasjen e 13 turqve të kapur nga militantët kurdë.

Turqia tha të dielën se militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që ajo e ka shpallur të jashtëligjshme, i ekzekutuan robërit, duke përfshirë ushtarakë dhe policë turq, gjatë një operacioni ushtarak në Irakun verior ku ata mbaheshin.

Shtetet e Bashkuara thanë se bashkoheshin me Turqinë, gjithashtu anëtare e NATO-s, dhe se i dënonin vrasjet, nëse konfirmohej se përgjegjësia binte mbi PKK-në.

Ankaraja, së cilës nuk i pëlqen partneriteti i Uashingtonit me luftëtarët kurdë në Sirinë fqinje, shprehu zemërim ndaj kushtëzimit të deklaratës amerikane.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur PKK-në organizatë terroriste, por në Siri forcat amerikane janë stacionuar në krah të luftëtarëve kurdë të grupit YPG, të cilët Ankaraja i konsideron të lidhur pazgjidhshmërisht me PKK-në.

Presidenti Reccep Tayip Erdogan e quajti deklaratën e Shteteve të Bashkuara “një shaka” dhe akuzoi Uashingtonin se i mbështet të dyja organizatat.

Që kur Joe Biden u zgjodh President i SHBA vitin e kaluar, Turqia ka thënë vazhdimisht se dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara me Shtetet e Bashkuara, por mbështetja e Uashingtonit për organizatën kurde YPG e ka zemëruar Ankaranë dhe mbetet një mosmarrëveshje e madhe midis dy aleatëve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat