Bundestagu miraton regjistrin për lobiim në institucione

Evropë

Bundestagu miraton regjistrin për lobiim në institucione

Më: 27 mars 2021 Në ora: 13:11
Bundestagu

Unioni konservator CDU7CSU ndodhet nën presionin e rasteve të dyshuara për korrupsion. Gjermania po përballet me problemin e përfaqësimit të interesave. Kritikët thonë se duhet të ndryshojnë ligjet.

Pas shumë vite diskutimesh, Bundestagu gjerman ka dhënë dritën e gjelbër për prezantimin e një regjistri të lobiimeve në institucione. Rregullorja e cila u miratua nga parlamenti në Berlin të enjten (25.03) në mbrëmje, detyron grupet profesionale të përfaqësimit të interesave që të futen në regjistër dhe të publikojnë të dhënat për klientët e tyre që ata prezantojnë.

Regjistri evidentohet në mënyrë digjitale në Bundestag dhe duhet të jetë në dispozicion të publikut, pra duhet të jetë transparent. Kjo ka për qëllim ta bëjë më të qartë se kush influencon një vendim politik dhe kush ndikon në ligjet e miratuara.

Detyrimi për të hyrë në regjistër duhet të vlejë për lobimet që bëhen në parlament, në grupet parlamentare dhe në qeverinë federale. Por ky detyrim do të vlejë edhe për lobimet në ministri, në departamente dhe në të gjitha nivelet e tjera. Ata që nuk i respektojnë rregullat mund të dënohen me gjoba deri në 50.000 euro.

Problemet me ligjin

Matthias Bartke, i cili në emër të socialdemokratëve negocioi kompromisin ligjor me CDU dhe CSU, flet për një "moment historik parlamentar", për të cilin partia e tij kishte luftuar për më shumë se dhjetë vjet. Por sipas Bartke, një problem të madh paraqet fakti që partitë e Unionit konservator CDU/CSU i kanë penguar rregullat për "gjurmën ekzekutive".

Një instrument i tillë do ta kishte bërë të qartë se si janë ndryshuar tekstet e ligjeve përmes ndërhyrjes së lobiistëve. Kjo do të ishte "një administratë mjaft e madhe burokratike", theksoi këshilltari ligjor i grupit parlamentar të Unionit, Michael Frieser (CSU). Kolegu i tij i CDU-së Patrick Schnieder thotë, se rregullorja e re është "e mirë dhe e ekuilibruar". Përfaqësimi i interesave duhet të bëhet transparent, por vet përfaqësimi i interesave nuk është diçka e keqe në vetvete.

Opozita e bëri të qartë se këto rregullore nuk mjaftojnë. Edhe Transparency International u ankua për mangësi të mëdha në këtë rregullore. "As në të ardhmen nuk do të kemi ndonjë transparencë të qartë rreth lobimeve konkrete. Më së shumti që do të kemi është një prezantim sipërfaqësor i këtyre punëve", kritikon kreu i kësaj organizate në Gjermani, Hartmut Bäumer./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat