Spanja analizon aspektin e trafikut njerëzor të prostitucionit

Evropë

Spanja analizon aspektin e trafikut njerëzor të prostitucionit

Më: 30 mars 2021 Në ora: 00:46
Foto ilustruese

Adebi punon në skutat e errëta të bulevardit të famshëm të Barcelonës, La Rambla.

Në kohë normale, ajo përpiqet të tërheqë turistë ose banorë lokalë që dalin natën të zbaviten në qytet.

36-vjeçarja ka jetuar në Spanjë për 10 vjet, por kur arriti në vendin e e saj të adoptuar nga Nigeria, ajo nuk kishte ndër mend prostitucionin.

"Doja të vija këtu dhe të bëja punë shtëpiake, të dërgoja para në shtëpi. Por nuk ndodhi kështu," i tha ajo Zërit të Amerikës.

Adebi, e cila nuk donte të përdorte emrin e saj të vërtetë, është si shumë gra të tjera që u detyrua t’i hynte prostitucionit e mashtruar nga bandat e mirëorganizuara të trafikimit seksual që kërkojnë nga gratë që të lajnë një borxh duke shitur veten për seks.

Prostitucioni ka lulëzuar në Spanjë që nga dekriminalizimi i kësaj praktike në vitin 1995.

Vendi është bërë i njohur si bordelloja e Evropës pasi një raport i Kombeve të Bashkuara në vitin 2011 tha se ishte kryeqyteti i tretë më i madh i tregtisë së seksit pas Tajlandës dhe Porto Rikos.

Tregtia e seksit ka vlerën 25 miliardë dollarë në vit dhe rreth 500,000 njerëz punojnë në shtëpi publike të palicencuara, sipas të dhënave nga Eurostat, agjencia e Statistikave të Bashkimit Evropian.

Rreth 80% e këtyre grave janë viktima të trafikantëve të seksit, thonëzyrtarë të Policisë Kombëtare Spanjolle.

Legjislacioni i ri

Qeveria aktuale e koalicionit të majtë të Spanjës dëshiron ta ndalojë prostitucionin përmes një ligji të ri që do të penalizonte këdo që përfiton nga tregtia e seksit.

"Jemi në rrugën e duhur dhe rezultati duhet të jetë një legjislacion kombëtar kundër prostitucionit dhe trafikimit, në bazë të së cilave seksualiteti ynë është i disponueshëm për burrat se ne jemi mall që blihet dhe shitet," tha zëvendëskryeministrja spanjolle Carmen Calvo javën e kaluar.

"Trafikimi ekziston sepse ka prostitucion; nëse nuk ka prostitucion nuk ka trafikim”, tha ajo.

Prostitucioni ekziston në një lloj paradoksi ligjor në Spanjë. Prostituimi i vullnetshëm i dikujt nuk është i paligjshëm por përfitimi prej prostitucionit, është.

Sipas ligjit spanjoll, trafikimi seksual është kur një person lëviz, mban me forcë, ose transporton dikë tjetër me qëllim përfitimin nga prostitucioni i tyre duke përdorur mashtrim, forcë ose detyrim.

Përpjekjet e mëparshme për një ligj kombëtar kanë dështuar sepse partitë politike nuk mund të bien dakord.

Zonja Calvo ka mbështetjen e partisë së ekstremit të majtë Unidas Podemos, partneri i vogël në qeverinë e koalicionit, por kërkon të fitojë përkrahjen e Partisë Konservatore të Popullit dhe partitë rajonale të opozitës.

Më shumë dëm sesa përfitim?

Nacho Pardo, një zëdhënës i Komisionit për Mbështetjen e Punonjësve të Seksit, CATS, beson se ndalimi i prostitucionit do të dëmtojë ata njerëz që synon të ndihmojë.

"Kjo nuk do të zhdukë prostitucionin. Nuk do të ndihmojë njerëzit që punojnë në prostitucion, por do të ndihmojë mafian ashtu siç ndodhi në SHBA kur ndalohej alkooli", i tha ai Zërit të Amerikës në një intervistë telefonike.

"Unë mendoj se do të jetë katastrofike”, tha ai.

CATS ndihmon rreth 2,000 prostituta në Spanjën juglindore çdo vit, nga të cilat rreth 10% ishin viktima të trafikimit seksual, thotë zoti Pardo.

Ai tha se shumë gra, burra dhe transeksualë nga Afrika dhe Amerika e Jugut, u përfshinë në tregtinë e seksit në Spanjë sepse trafikantët e seksit këmbëngulën që të paguanin borxhet që u kishin.

Trafikantët kërkojnë pagesa për koston e kontrabandës së punonjësve të seksit dhe gjetjen e tyre të punës, por aktivistët që i mbrojnë ato, thonë se borxhet e pretenduara në të vërtetë janë zhvatje shantazh.

Gratë nigeriane janë grupi më i madh i afrikanëve që veprojnë në Spanjë, thotë zoti Pardo. Rumunët përbëjnë grupin më të madh të prostitutave të huaja në Spanjë, të pasuara nga gratë nga Republika Domenikane dhe Kolumbia.

"Shumica ndiejnë turp të thellë për përfshirjen në tregtinë e seksit," tha ai.

Rocío Mora, i cili ka bërë fushatë kundër trafikimit seksual për tre dekada, është drejtori i Apramp, që ndihmon në mbrojtjen, ndihmën dhe riintegrimin e grave që janë të përfshiara në prostitucion.

Ajo thotë se ekipi i saj sheh pothuajse 300 gra në ditë që janë viktima të trafikimit seksual.

"Që nga viti 1985 ne kemi bërë thirrje për heqjen e prostitucionit. Në një vend që beson në shtetin e ligjit, asnjë person nuk duhet të shitet për trupin e vet," i tha ajo Zërit të Amerikës.

"Tani ka nevojë për një ligj gjithëpërfshirës që penalizon ata që përfitojnë nga ajo që është një formë e dhunës ndaj grave."

Në rrugët e Barcelonës, Adebi thotë se të gjitha gratëdetyrohen të bëjnë seks me klientë, shpesh nën kërcënim.

Ajo thotë se disa grave nigeriane u ishte thënë se kishin marrë borxhe deri në 60,000 dollarë, por pavarësisht nga puna në këtë tregti për vite me radhë, ato kurrë nuk arritën ta lajnë atë.

"Gratë gjobiten për vonesa, se nuk duken mirë, se blejnë cigare nga një vend që nuk është klubi i seksit në të cilin punojnë, për çdo gjë", thotë ajo.

"I gjithë filmi me Richard Gere ishte një mit. Realiteti është diçka krejt ndryshe nga ‘Pretty Woman’”, thotë ajo. /VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat