Vrasja e ariut Artur, Rumania heton rastin e ariut të vrarë nga princi austriak

Evropë

Vrasja e ariut Artur, Rumania heton rastin e ariut të vrarë nga princi austriak

Më: 7 maj 2021 Në ora: 23:26
Ariu i quajtur Artur ishte 17 vjeç

Policia rumune po heton një rast të mundshëm të gjuetisë pa leje ku është përfshirë një princ austriak, i cili raportohet të ketë vrarë gabimisht një ari mashkull në gjueti gjatë një vizitë në Malet Karpate në muajin mars

Vrasja e një ariu të murrmë në Rumani nga ana e Princit të Litenshteinit ka sjellë reagimin dhe indinjatën e ambientalistëve dhe organizatave për mbrojtjen e kafshëve. Sipas kreut të Bashkisë së Ozdolës në Transilvani, çdo gjë u bë në rrugë ligjore, me presidentin e shoqatës lokale të gjuetarëve që konfirmoi se ishte marrë leje për gjuetinë e një ariu mashkull. Në anën tjetër ambientalistët pretendojnë se Princi kishte marrë leje për të vrarë një ari të gjinisë femërore dhe jo një mashkull alfa që është i rëndësishëm për ekosistemin e pyjeve.

“Duhet medoemos të provohet dhe të sqarohet që për vrasjen e këtij ariu ishte marrë leje e posaçme, në të kundërt personat përgjegjës duhet të japin llogari”, tha Tanczos Barna, Ministër i Ambientit dhe Trashëgimisë kulturore.

Ariu i quajtur Artur ishte 17 vjeç. Specialistët e konsideronin si një ndër ekzemplarët më të mëdhenj në Rumani. Skandali i vrasjes së tij nga ana e Princit Emanuel von und zu Lihteshtein ka pasur pasoja dhe në popullaritetin e tij. Edhe pse organizatorët pretendojnë se gjuetia ishte e ligjshme, çështja po hetohet nga komisionerët ambientalistë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat