COVID dhe turizmi në Greqi, mbërrijnë turistët e parë në ishullin Mikonos

Evropë

COVID dhe turizmi në Greqi, mbërrijnë turistët e parë në ishullin Mikonos

Më: 17 maj 2021 Në ora: 22:12
Greqi

Turizmi është industria kryesore e Greqisë dhe ishulli i famshëm i Mikonosit është një xhevahir në këtë aspekt. Biznesmenët lokalë po përgatiten për sezonin, me turistët e parë që kanë mbërritur në atë që njihet si ishulli i Erës.

“Ne ndihemi të sigurt nga COVID dhe është fantastike që autoritetet në Greqi po lejojnë njerëzit të hyjnë, ndryshe nga disa të tjerë. S’kam qenë kurrë në Greqi, në Mikonos, ndaj është një shans i madh për ta parë nga afër”, shprehet një turist.

Baret dhe restorantet lejohen të punojnë deri në çerek ore pas mesnate, pa muzikë, pasi shtetrrethimi është ende në fuqi. Subjektet po përgatiten të presin vizitorët në mënyrën më të sigurt të mundur.

“Ne shpresojmë për një valë turistësh. Të gjitha masat janë marrë, deri në fund të majit do të jemi të gjithë të vaksinuar, me maska dhe mezi presim të shohim se çfarë sezoni do të jetë”, thotë Nikos Loizos, pronar restoranti.

Banorët vendas dhe biznesmenët po pajisen për të pritur turistët nga e gjithë bota. Në të njëjtën kohë, në klinikën mjekësore të ishullit, vaksinimi është në zhvillim.

Mjekët kanë eksperiencën e duhur për t’u përballur me rastet me COVID. Gjithashtu, ata shpresojnë se të gjithë do të vaksinohen.

“Po fillojmë vaksinimin në masë, duke administruar dy linja të reja vaksinash me atë me një dozë të vetme ‘Johnson&Johnson’. Qendra jonë mund të vaksinojë 240 persona në ditë dhe 6.500 në muaj”, thotë Dina Sampsouni, drejtoreshë e qendrës mjekësore, Mikonos.

Të gjithë turistët janë të detyruar të ndjekin masat në fuqi, si mbajtjen e maskave, distancës sociale dhe shtetrrethimin.

“Masat nuk ndihmojnë për një relaksim total të turistëve. Ne e kemi fjalën për maska, distancë mes tryezave, mes shezlongëve dhe madje ndalimin e muzikës. Edhe pse ka një logjikë prapa këtyre masave, unë jam i sigurt se gradualisht ato do të hiqen dhe muzika do të rikthehet në bare e restorante”, shprehet Konstantinos Koukas, kryebashkiak i Mikonosit, Greqi.

Autoritetet lokale theksojnë se banorët dhe turistët duhet të ndihen të sigurt për të punuar apo për të shijuar pushimet në ishull.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat