Temperaturat e pazakonta në Britani

Evropë

Temperaturat e pazakonta në Britani

Më: 20 shtator 2021 Në ora: 00:51
Foto ilustrim

Londra po përjeton temperatura deri në 28 gradë Celsius këto ditë.

Është një tjetër ditë përvëluese e valës së nxehtësisë që filloi në fillim të javës, duke sjellë temperatura të pazakonta për shtatorin në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo vjen pasi disa pjesë të Anglisë dhe Uellsit patën një verë zhgënjyese kur bëhet fjalë për motin.

“I njëjti presion i lartë atmosferik që solli mot të freskët dhe me re në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar gjatë gjysmës së dytë të gushtit tani është zhvendosur në lindje të vendit dhe ndryshimi i pozicionit të tij tani po sjell temperatura të ngrohta nga kontinenti,” thotë Aidan McGivern, një meteorolog i Zyrës Met.

Pjesa më e madhe e Evropës veriore po përjeton një valë nxehtësie, përfshirë Irlandën, Francën dhe Gjermaninë.

Në Mbretërinë e Bashkuar të hënën, temperatura arriti 29 gradë – më e larta e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar që nga 22 korriku.

Është më ngrohtë se zakonisht për shtatorin – por zoti McGivern thotë se kjo temperaturë nuk po thyen ndonjë rekord.

“Nuk është e paparë. Ne nuk po thyejmë asnjë rekord të shtatorit, por është mjaft e pazakontë të përjetosh këto temperatura në këtë kohë të vitit. Kështu për shembull sot ne presim që temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar të kalojnë 30 gradë Celsius dhe në 50 vitet e fundit, kjo ka ndodhur vetëm gjashtë herë më parë. Duket se po bëhet e shpeshtë. Në 15 vitet e fundit ka ndodhur katër herë, “thotë meteorologu McGivern.

Në Parkun Hyde, londinezët po u gëzohen rrezeve të diellit.

“Jam vërtet e habitur. E shoh këtë diell dhe jam vërtet e lumtur,” thotë një banore e Londrës.

“Të kesh dy, tre ditë si kjo me diell është e mrekullueshme, është vërtet bukur,” thotë Nick, një vizitor i parkut.

Shtatorë të ngrohtë ka të ngjarë të bëhen gjithnjë e më të zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Dhe kjo falë ndryshimit të klimës.

“Si rezultat i ngrohjes globale, ne presim që valët e nxehtësisë si kjo të bëhen më të shpeshta, të zgjasin më shumë kur ndodhin, dhe presim të shohim temperatura më të larta kur ato të ndodhin, në krahasim me periudhën para-industriale,” shpjegon meteorologu McGivern.

Moti i nxehtë nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Shirat priten të kthehen përsëri së shpejti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat