Putin: Përfshirja e SHBA-së në Afganistan rezultoi me tragjedi

Evropë

Putin: Përfshirja e SHBA-së në Afganistan rezultoi me tragjedi

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 23:05
Presidenti rus, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë injoruar historinë dhe kulturën e Afganistanit kur e kanë pushtuar këtë vend, teksa ka folur për atë që e ka konsideruar tragjedi në këtë shtet.

Putin ka folur më 13 tetor në një forum të energjisë në Moskë, vetëm disa ditë para se Moska të mirëpresë anëtarë të Qeverisë së udhëhequr nga talibanët, për të biseduar rreth të ardhmes së Afganistanit.

“Liria dhe demokracia nuk mund të ndahen nga kultura dhe traditat e një popullate”, ka thënë Putin, teksa i është përgjigjur pyetjes së moderatorit të forumit.

“Shtetet e Bashkuara kanë ndërhyrë në Afganistan në kundërshtim me traditat, kulturën dhe historinë e popullit afgan. Rezultati është tragjik”.

Putin nuk e ka përmendur historinë e Moskës në Afganistan, duke nisur nga pushtimi i forcave sovjetike më 1979 për të fuqizuar Qeverinë, atëherë komuniste, në Kabul.

Pas tërheqjes së forcave sovjetike më 1989, Afganistani është përfshirë në kaos dhe luftë civile, para se talibanët të merrnin kontrollin e shtetit në mesin e viteve 1990, për herë të parë.

Rusia ka qenë po ashtu mbështetëse e heshtur e pushtimit amerikan në Afganistan më 2001, duke i dhënë miratim Uashingtonit që të përdorë bazat në Azinë Qendrore, si dhe zinxhirët rus të furnizimit për t’iu ndihmuar forcave amerikane që të furnizohen në Afganistan.

Në gusht të vitit 2021, pas gati 20 vjetëve të pushtimit amerikan, Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr forcat e veta dhe talibanët janë kthyer në pushtet, pas shkatërrimit të Qeverisë së përkrahur nga Perëndimi.

Ndonëse Rusia i konsideron talibanët si grup terrorist, Moska ka synuar që të përfitojë nga tërheqja amerikane dhe të krijojë lidhje me Qeverinë e re në Kabul.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat