​Punëtorët vietnamezë ankohen për kushte çnjerëzore në Serbi

Evropë

​Punëtorët vietnamezë ankohen për kushte çnjerëzore në Serbi

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 17:20
Foto

Rreth 500 punëtorë vietnamezë në një fabrikë për prodhimin e gomave të veturave në Zrenjanin të Serbisë akuzojnë punëdhënësit e tyre kinezë për kushte të tmerrshme në punë.

Ata kanë nisur punën që nga muaji maj, por deri më tash kanë marrë vetëm nga një pagë.

Punëtorë vietnamezë shëtisin me sandale në të ftohtë dhe thonë se janë të uritur, nuk kanë ngrohje, para dhe as ndihmë nga autoritetet lokale.

Nguyen Van tri, punëtorë vietnamez, thotë se kanë probleme të mëdha.

“Nuk kemi rrymë, as ujë dhe as para”, tha ai.

Pronarët e fabrikës “Shandong Linglong Tyre” akuzohen për ndotje të ambientit, si dhe për mbajtjen e punëtorëve në kushte çnjerëzore.

Organizatat jo qeveritare thonë se punëtorëve u janë marrë pasaportat dhe letërnjoftimet nga punëdhënësit kinezë. Danillo Quriqi nga Iniciativa A11 thotë se këta punëtorë qëndrojnë në dhoma më të vogla se sa hapësira minimale e burgjeve.

“Në dhoma nuk ka ajrosje, nuk ka dritë natyrale, dyshemeja është vetëm në beton, muret janë të zhveshura, izolimi është i keq, çatia është në gjendje të tillë që në fakt jemi duke pritur momentin kur do të bjerë shi dhe borë brenda. Energjia elektrike është aq e dobët sa ata mund të ndezin vetëm dritat dhe të mbushin telefonat. Nuk ka kuzhinë njerëzit hanë duke qëndruar në këmbë ose në karrige. Nuk ka rrobalarëse, rrobat i lajnë me dorë. Nuk ka kushte sanitare në kontejnerët që përdoren për tualete dhe dushe, ndaj nuk ekziston mundësia që ata të mbajnë minimumin e higjienës. Kushtet janë aq të këqija sa njerëzit vendosin kurthe rreth fabrikës për të gjuajtur kafshë të vogla, të cilat më pas i përgatisin për ushqim”, ka thënë ai.

Kompania kineze ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se punëtorët janë të punësuar nga kontraktorë në Vietnam.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat