Sllovakia kërkon falje për sterilizim të detyrueshëm të grave rome

Evropë

Sllovakia kërkon falje për sterilizim të detyrueshëm të grave rome

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 09:08
Dy gra rome shihen në një fshat të Ukrainës. Fotografi nga arkivi.

Qeveria sllovake ka kërkuar falje zyrtarisht për sterilizimet e detyrueshme të grave rome nëpër dekada.

Koalicioni qeveritar ka lëshuar një deklaratë të mërkurën, duke dënuar shkeljet e të drejtave të njeriut ndër vite dhe u ka kërkuar falje personave të prekur, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, TASR.

Numri i saktë i sterilizimeve nuk dihet, mirëpo të paktën mijëra gra janë prekur nga ai vendim, ka thënë përfaqësuesja qeveritare e komunitetit rom, në faqen e saj zyrtare.

Sipas Qeverisë, sterilizimet e detyrueshme janë kryer në periudhën 1966-1989, me qëllim të zvogëlimit të numrit të foshnjave të lindura në mesin e këtij komuniteti.

Por, edhe pas rënies së komunizmit, Qeveria e ka pranuar se grave rome u është bërë presion – në mënyrë të paligjshme – nëpër klinika që të sterilizohen pasi kanë pasur fëmijë.

Qeveria në këtë rast ka folur për periudhën 1990-2004.

Organizatat për të drejta të njeriut dhe Këshilli i Evropës kanë kërkuar tash e një kohë që Sllovakia të pranojë shkeljet sistematike të të drejtave të komunitetit rom dhe që t’i kompensojë viktimat.

Komisionarja për të Drejta të Njeriut në Këshillin e Evropës, Dunja Mijatoviq, e ka mirëpritur këtë kërkim-falje, duke e konsideruar hap të rëndësishëm.

Megjithatë, ajo ka përmendur edhe nevojën e krijimit të një mekanizmi për kompensim sa më shpejt që është e mundur.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat