Ish-udhëheqësi ukrainas Poroshenko përballë akuzave për tradhti

Evropë

Ish-udhëheqësi ukrainas Poroshenko përballë akuzave për tradhti

Më: 18 janar 2022 Në ora: 20:43
Petro Poroshenko

Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko do të kthehet në një gjykatë në Kiev të mërkurën, pasi një gjykatës po shqyrton mundësinë ta lirojë atë me kusht ose të urdhërojë arrestimin e tij, lidhur me një rast tradhtie që ai thotë se është i motivuar politikisht. 

Poroshenko, i cili udhëhoqi Ukrainën nga viti 2014-2019, u kthye në vend të hënën për t'u përballur me akuzat. Ai u tha mbështetësve të tij në aeroport se ishte kthyer për të ndihmuar Ukrainën të përballej me "kërcënimin në rritje për një pushtim rus". 

Ai e përforcoi mesazhin në një seri postimesh të martën, duke thënë se me ndihmën e partnerëve të saj ndërkombëtarë, Ukraina "do të qëndrojë e paprekur". 

“Mirënjohja ime e sinqertë shkon për vëmendjen e jashtëzakonshme që po i kushtohet sot mbështetjes së Ukrainës, veçanërisht luftës sonë kundër agresionit të vazhdueshëm të Kremlinit, nga aleatët tanë në Uashington dhe Londër, në Berlin dhe Paris, në Bruksel dhe Otava, në gjithë Bashkimin Evropian dhe NATO”, shkruante Poroshenko në Twitter. 

Prokurorët e akuzojnë Poroshenkon për tradhti nën dyshimet se ka shitur në mënyrë të paligjshme qymyrit për të financuar separatistët e mbështetur nga Rusia në vitet 2014-15. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me 15 vjet burg. 

Poroshenko ishte në gjykatë të hënën për një seancë që zgjati gati 12 orë, me gjykatën që shtyu deri të mërkurën vendimin nëse do t'i jepte Poroshenkos lirimin me kusht ose të urdhëronte arrestimin e tij. Prokurorët kanë kërkuar që të caktohet lirimi me kusht kundrejt 35 milionë dollarëve. 

Kthimi i Poroshenkos vjen pasi Ukraina përballet me një përballje të tensionuar me Rusinë fqinje. Dhjetëra mijëra trupa ruse janë grumbulluar pranë kufirit me Ukrainën, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të shprehin shqetësimin se presidenti rus Vladimir Putin mund të planifikojë një pushtim. 

Një delegacion i Shteteve të Bashkuara vizitoi Kievin të hënën për të treguar mbështetje për Ukrainën në mes të krizës. 

Senatorja amerikane Amy Klobuchar, një demokrate, i tha Shërbimit Ukrainas të Zërit të Amerikës: “Ne kemi demokratë dhe republikanë me pikëpamje shumë të ndryshme politike dhe të gjithë themi se qëndrojmë me Ukrainën dhe nëse Vladimir Putin zgjedh të marrë këtë rrugë tradhtare antidemokratike të pushtimit të këtij vendi, do të ketë sanksione të ashpra dhe të shpejta”

Senatori republikan Kevin Cramer, i tha Zërit të Amerikës: “Shtetet e Bashkuara nuk do të rrinë duarkryq dhe nuk do të jenë spektatorë nëse ndodh diçka. Ajo që ne dëshirojmë të bëjmë është ta parandalojmë që kjo të ndodhë. Ne duam të jemi pjesë e zgjidhjes përpara se të fillojnë luftimet.” 

Poroshenko erdhi në pushtet në vitin 2014 pasi protestat rrëzuan presidentin e atëhershëm Viktor Janukoviç. Atij i atribuohet forcimi i ushtrisë së Ukrainës pasi Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti luftëtarët separatistë në Ukrainën lindore. Poroshenko, megjithatë, humbi zgjedhjet në vitin 2019 pas një skandali korrupsioni dhe akuzave se ai nuk kishte bërë mjaftueshëm për të zbatuar reformat politike. 

Poroshenko zotëron një perandori ëmbëlsirash dhe shpesh quhet "mbreti i çokollatës" në Ukrainë. Revista Forbes e vlerëson pasurinë e tij në 1.6 miliardë dollarë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat