Qyteti që po rimëkëmbet në kapitalizëm

Evropë

Qyteti që po rimëkëmbet në kapitalizëm

Më: 23 janar 2022 Në ora: 09:30
Nowa Huta

Pas Luftës së Dytë Botërore ishte një utopi e dështuar, por më vonë, qyteti Nowa Huta në Poloni pësoi shndërrime aq të mëdha, sa nisi dalëngadalë të shihej edhe si një destinacion turistik.

Pak vende dolën nga lufta aq të shkatërruara, saç doli Polonia. Vendi humbi rreth një të pestën e popullsisë dhe kryeqyteti, Varshava, u shkatërrua pothuajse plotësisht nga nazistët, si dhe një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore u plaçkit. Megjithatë, mes atyre rrënojave, u shfaq shpresa për një botë të re, ose të paktën kështu premtonin komunistët polakë që morën pushtetin në vitin 1948 dhe nën mbikëqyrjen e Jozef Stalinit, nisën rindërtimin e vendit, si dhe të një “shoqërie të re”..

Simboli i kësaj “shoqërie të re” ishte një qytet socialist i quajtur Nowa Huta, në zemër të së cilës, ndodhej fabrika gjigante e çelikut, Vladimir Lenin, që synonte të prodhonte më shumë çelik se sa ishte në gjendje të prodhonte i gjithë vendi para luftës.

 Nowa Huta, që do të thotë “Punimet e reja të çelikut”, u ndërtua për të akomoduar punëtorët e çelikut. Mirëpo, ekonomia komuniste, së bashku me regjimin ra, e kështu në vitet 1990, Nowa Huta prej 200 000 banorësh, e gjendur në tranzicion politik, u bë sinonim i drogës, krimit, varfërisë dhe huliganizmit.

Sot, panorama është krejt tjetër dhe Nowa Huta ka parë në pak vite investime të shumta, duke u kthyer në një qendër të mirëfilltë urbane me restorante, kafene, dyqane dhe vende argëtimi. Tanimë, qyteti u ofron të huajve dhe polakëve një pamje të shkurtër të komunizmit siç ishte dikur. Arkitektura komuniste ndërthuret me atë moderne, duke i vendosur vizitorët përball dy realiteteve dhe kohërave.

Aty ende ruhen ndërtesa të asaj kohe, si Teatri i vjetër apo uzina e fabrika, por përballë tyre janë ngritur atraksione mbresëlënëse arkitekturore. Këto kontraste në Nowa Huta, nga rindërtimi stalinist te rebelimi antikomunist, rrënimi në tranzicion dhe rimëkëmbja në kapitalizëm, pasqyrojë shndërrimin e Polonisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat