Polonia nis ndërtimin e murit në kufirin me Bjellorusinë

Evropë

Polonia nis ndërtimin e murit në kufirin me Bjellorusinë

Më: 27 janar 2022 Në ora: 14:21
Kufiri ndërmjet Polonisë dhe Bullgarisë.

Polonia ka filluar ndërtimin e një muri që do të kushtojë rreth 394 milionë dollarë përgjatë kufirit të saj lindor, që synon të bllokojë migrantët që vijnë nga Bjellorusia.

Muri me tela gjembor, i lartë 5,5 metra, do të përshkojë më shumë se 180 kilometra, përgjatë pjesës tokësore të kufirit me Bjellorusinë.

Dy kompani ndërtimi do të punojnë në të gjatë gjithë kohës, duke filluar nga katër lokacione të ndryshme, ndërsa ndërtimi pritet të përfundojë në muajin qershor.

Të enjten (27 janar), gazetarët u lejuan të shihnin punën në zonën e mbrojtur.

Presioni nga mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika në kufirin ndërmjet Polonisë dhe Lituanisë me Bjellorusinë, filloi në verën e vitit të kaluar, duke çuar në përleshje me rojet kufitare të Polonisë.

Polonia ka mbyllur kufirin e saj me Bjellorusinë, duke përdorur tela gjemborë dhe ka shtuar numrin e rojave kufitare.

Migrantët kryesisht synojnë të shkojnë në Gjermani.

Bashkimi Evropian (BE), thotë se emigrantët po përdoren nga udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, për të destabilizuar bllokun 27-anëtarësh, si hakmarrje për sanksionet e Perëndimit ndaj Minskut, pas zgjedhjeve që nga ndërkombëtarët konsiderohen të manipuluara dhe si shtypje për opozitën.

Si pasojë e temperaturave të ulëta të dimrit, të paktën 12 migrantë kanë vdekur në pyjet e zonës kufitare.

Më shumë se 11,000 migrantë ilegalë kanë hyrë në Gjermani në vitin 2021 - përmes Polonisë - nga Bjellorusia, ka thënë policia gjermane më 27 dhjetor 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat