Lufta me Rusinë, ja çfarë ndodhi gjatë natës në Ukrainë

Evropë

Lufta me Rusinë, ja çfarë ndodhi gjatë natës në Ukrainë

Më: 6 mars 2022 Në ora: 06:25
Refugjatët ukrainas

(E plotësuar 07:33) - Mariupol “në prag të katastrofës humanitare”

Situata në rajonin e Sumyt dhe në qytetin e Mariupolt, është “në prag të një katastrofe humanitare”, tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv “Ukraina-24” të dielën në mëngjes.

Aktualisht, nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në dy qytete në rajonin verior të Sumyt, tha këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.

Megjithatë, ai shtoi se nata e së shtunës ka qenë “relativisht e qetë”.

Gjatë së shtunës, Ukraina dhe Rusia u pajtuan për një armëpushim që synonte largimin e civilëve të iknin nga Mariupoli, por ky armëpushim zgjati më pak se 30 minuta para se të rifillonin granatimet nga forcat ruse.

Sipas raportimeve të mediave në Ukrainë, korridori humanitar mund të rihapet sërish të dielën.

Rreth 3,000 amerikanë vullnetarë për të luftuar në Ukrainë

Rreth 3 mijë amerikanë i janë përgjigjur thirrjes së Ukrainës për vullnetarë të huaj për të luftuar kundër Rusisë, tha një përfaqësues i Ambasadës së Ukrainës në Uashington për Zërin e Amerikës.

Vendet perëndimore nuk po dërgojnë trupa për të luftuar në Ukrainë, por kanë dërguar armë.

Gjithashtu, kanë vendosur sanksione ekonomike kundër Rusisë dhe oligarkëve dhe liderëve rusë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas kanë bërë thirrje për formimin e një “legjioni ndërkombëtar” vullnetarësh të huaj për të ndihmuar Ukrainën në luftë.

Disa ditë më parë, Zelensky tha se rreth 16,000 vullnetarë nga vende të ndryshme janë paraqitur për të marrë pjesë në luftë.

 Hetime për krime lufte në Ukrainë

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka dërguar një ekip paraprak në Ukrainë për të filluar hetime për krime të mundshme lufte.

Ish-ambasadori amerikan për krime lufte, David Scheffer i tha Zërit të Amerikës se Gjykata ka autoritet të gjerë për hetimin për krime lufte.

LEXO edhe: Vazhdojnë bombardimet, Rusia tradhton Ukrainën - shkatërrohen rusët në ajër

***

Një armëpushim që do të bënte të mundur evakuimimin e ukrainasve nga dy qytete dështoi të shtunën, ndërsa Ukraina akuzoi Rusinë se forcat e saj kishin vazhduar bombardimet duke mos lejuar largimin e civilëve.

Ukraina thotë se forcat ruse po vazhdojnë të bombardojnë rrugët për të cilat ishte rënë dakord të përdoreshin si korridore evakuimi për të dalë nga Mariupoli dhe Volnovakha. Armëpushimi ishte planifikuar të hynte në fuqi në mëngjes.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq tha se nga infomacioni që kishte, evakuimet e civilëve nuk do të fillonin të shtunën për shkak të luftimeve.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov kishte thënë se pala ruse shpalli një armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare për të lejuar civilët të largohen nga Mariupoli dhe Volnovakha. Korridoret humanitare dhe rrugët dalëse janë rënë dakord me palën ukrainase".

Por zyrtarët e Mariupolit thanë se po shtyjnë planet e evakuimit dhe u kërkuan banorëve të strehohen. Rrugët e evakuimit ishin planifikuar të ishin të hapura për pesë orë si për autobusët ashtu edhe për makinat private.

Autoritetet në këtë qytet thanë evakuimi i civilëve u shty pasi forcat ruse që rrethojnë qytetin nuk po respektojnë armëpushimin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se forcat ruse "po përdorin gjithnjë e më shumë metoda brutale në Ukrainë, duke përfshirë sulmet ndaj popullatës civile".

Shërbimet britanike të zbulimit thanë se shkalla e sulmeve ajrore dhe artilerisë ruse në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit ka qenë më e ulët, por forcat ruse besohet se po përparojnë në jug të vendit.

 

“Ukraina vazhdon të mbajë qytetet e rëndësishme Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol”, tha ministria britanike e Mbrojtjes në Twitter herët të shtunën. "Ka pasur raporte për luftime në rrugë në Sumy. Ka shumë të ngjarë që të katër qytetet të jenë të rrethuara nga forcat ruse".

Ministria tha se forcat ruse me gjasë po përparonin në qytetin port jugor të Mykolaivit dhe ekziston një mundësi reale që disa forca të përpiqen të anashkalojnë qytetin për t'i dhënë përparësi përparimit të tyre drejt Odesës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat