Vazhdojnë bombardimet, Rusia tradhton Ukrainën - shkatërrohen rusët në ajër

Evropë

Vazhdojnë bombardimet, Rusia tradhton Ukrainën - shkatërrohen rusët në ajër

Nga: Bota sot Më: 5 mars 2022 Në ora: 17:41
Pamje nga lufta në Ukrainë

(E plotësuar 07:55) - Lufta në Ukrainë rrit dëshirën në Finlandë për t’iu bashkuar NATO-s

Pushtimi rus i Ukrainës ka shkaktuar frikë në shumicën e shteteve fqinje të saj - nga shtetet baltike deri në Moldavi.

Finlanda teorikisht duhet të jetë e sigurt, pasi historikisht ka qenë neutrale.

Ashtu si vendet tjera skandinave, përveç Suedisë, në Finlandë më herët nuk ka pasur diskonim për tu bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Por, së fundi, kur zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse paralajmëroi Finlandën dhe Suedinë në mënyrë eksplicite se çdo lëvizje drejt NATO-s mund të kishte pasoja ushtarake, njerëzit në të dy vendet u tronditën.

Që atëherë, avionët luftarakë rusë kanë hyrë në mënyrë të hapur në hapësirën ajrore suedeze.

Nëse të qenit neutral nuk mjafton për tu mbrojtur kundër Rusisë, qytetarët në Finlandë e Suedi thonë se ndoshta nëse do të bashkoheshin me NATO-n do ta kishin mbrojtjen që u nevojitet.

Kjo paraqet një ndryshim të madh të qëndrimeve. Në Finlandë, veçanërisht, marrëdhëniet me Rusinë mendoheshin të ishin mjaft të mira, por pushtimi i Ukrainës ka ndryshuar gjithçka.

Dita e 11-të e luftës në Ukrainë, zhvillimet më të rëndësishme

Lufta e Rusisë kundër fqinjit të saj, Ukrainës po vazhdon. Sulmet e forcave ruse mbi qytetet e Ukrainës s’janë ndalur as në ditën e 11-të e luftimeve. Në Ukrainë mëngjesi ka zbardhur dhe më poshtë mund të lexoni se si qëndron situata.

Presidenti amerikan Joe Biden ka folur në telefon me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, për të diskutuar përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe për ta përshpejtuar ndihmën ushtarake, humanitare dhe ekonomike nga ana e SHBA-së. Shtëpia e Bardhë tha se gjatë bisedës dyshja diskutoi gjithashtu për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, por nuk ofroi detaje shtesë.

Kryeministri i Britanisë, Boris Johnson ka lëshuar ​​një plan me gjashtë pika si reagim ndaj pushtimit rus të Ukrainës dhe po u kërkon liderëve të tjerë që ta mbështesin atë në përpjekjet për të siguruar që Rusia të dështojë në përpjekjen e saj të dukshme për ta marrë nën kontroll fqinjin e saj.

Presidenti ukrainas, Zelenskiy tha se ka folur me shefin e SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, duke njoftuar se vendi do të marrë më shumë nga terminalet e tij të internetit satelitore Starlink këtë javë.

Gjigantët e kartave të kreditit me bazë në SHBA, Visa dhe Mastercard njoftuan se do t’i pezullojnë shërbimet e tyre të biznesit në Rusi.

Ushtria ukrainase në raportin e saj të fundit operacional tha se forcat ruse vazhdojnë të përqendrohen në Kyiv ndërsa vazhdojnë me sulmet në Kharkiv, Mykolaiv dhe krijimin e një korridori tokësor me Krimenë. Raporti thotë se avionët nga aeroportet në territorin e Bjellorusisë ishin përfshirë në sulme ajrore në infrastrukturën ushtarake dhe civile në Kyiv dhe Zhytomyr.

Instituti për Studimin e Luftës, me bazë në SHBA publikoi një raport duke thënë se forcat ruse në Ukrainë mund të kenë hyrë në një pauzë të shkurtër operacionale ndërsa përgatiten të rifillojnë operacionet kundër Kyivit, Kharkivit, Mykolayivit dhe ndoshta Odesas në 24-48 orët e ardhshme.

Përpjekjet për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Ukrainë janë rritur pasi vullnetarët në të gjithë vendin punojnë pa u lodhur për të mbledhur nevojat bazë për t’ua dhënë refugjatëve dhe për të përgatitur furnizime ushqimore për ushtrinë që do të dërgohet në vijën e parë të frontit.

Situata humanitare në portin jugor të Ukrainës të Mariupolit është “katastrofike” dhe është jetike që civilët të evakuohen, paralajmëroi një zyrtar i lartë nga OJQ-ja “Mjekët pa Kufij”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se mund të miratojë 1.4 miliardë dollarë financime emergjente që në fillim të javës së ardhshme, pasi organi paralajmëron për “ndikim të rëndë” të luftës në ekonominë globale.

Sanksionet perëndimore ndaj Rusisë janë pengesë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, tha ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Ai tha se Ukraina “do ta fitojë këtë luftë”, por ka nevojë për më shumë ndihmë nga NATO. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dymtro Kuleba, bëri thirrje për më shumë ndihmë ushtarake, ndërsa Reuters raporton se Zelenskiy bëri një “lutje të dëshpëruar” për Europën Lindore që t’i sigurojë Ukrainës avionë të prodhuar nga Rusia. Në një telefonatë me senatorët amerikanë, mësohet se ai ka kërkuar gjithashtu një zonë ndalim-fluturimi, ndihmë vdekjeprurëse, ndalim të naftës ruse dhe pezullimin e shërbimeve të Visa dhe Mastercard në Rusi.

SHBA thuhet se është në diskutime me Poloninë për mundësinë që Polonia t’i ofrojë më shumë avionë luftarakë Ukrainës me SHBA-në që potencialisht pajtohet ta mbushë flotën e avionëve luftarakë të Polonisë nëse Varshava vendos të transferojë MiG-29 të saj të përdorur në Ukrainë, thanë katër zyrtarë amerikanë për POLITICO.

Rusia dhe Ukraina planifikojnë një raund tjetër bisedimesh të hënën, edhe pse bisedimet e mëparshme që prodhuan një marrëveshje për armëpushim të kufizuar gjatë korridoreve për civilët nuk janë respektuar nga Rusia.

Kombet e Bashkuara kanë regjistruar 351 civilë të vrarë dhe 707 të plagosur në Ukrainë, sipas komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në organizimet në të gjithë botën në mbështetje të Ukrainës gjatë fundjavës për të kërkuar fundin e pushtimit të Rusisë.

***

Sumy dhe Mariupol 'në prag të katastrofës humanitare'

Situata në rajonin e Sumy dhe në qytetin e Mariupol është "në prag të një katastrofe humanitare", tha një zyrtar i qeverisë ukrainase për kanalin televiziv "Ukraina-24" të dielën në mëngjes.

Aktualisht nuk ka furnizim me energji elektrike ose ujë në qytetet Akhtyrka dhe Trostyanets në rajonin verior të Sumy, tha këshilltari i qeverisë Vadim Denisenko.

Megjithatë, ai shtoi se nata e së shtunës ka kaluar “relativisht e qetë”.

Ne gjithashtu dëgjuam më herët raporte nga zyrtarët ukrainas se një armëpushim i mëparshëm synonte të lejonte civilët të iknin nga qyteti i Mariupolit zgjati për më pak se 30 minuta përpara se të rifillonin granatimet.

Megjithatë, agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi Eduard Basurin, komandantin separatist të Donetsk, të ketë thënë se korridori humanitar mund të rihapet sërish të dielën.

Çfarë është një zonë ndalim-fluturimi?

Siç kemi raportuar, presidenti i Ukrainës Zelensky i ka bërë thirrje edhe një herë Perëndimit që të vendosë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Por kjo është rezistuar nga NATO. Pse?

Një zonë e ndaluar fluturimi në një luftë synon të ndalojë hyrjen e avionëve në hapësirën ajrore të ndaluar, zakonisht për të parandaluar sulmet ose mbikëqyrjen.

Por një ndalim i tillë duhet të zbatohet me mjete ushtarake.

Një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë do të nënkuptonte që forcat ushtarake - veçanërisht forcat e NATO-s - do të angazhoheshin drejtpërdrejt me çdo avion rus të pikasur në ato qiej dhe do të qëllonin mbi ta nëse është e nevojshme.

Kjo do t'i sillte në mënyrë efektive kombet perëndimore në luftime ushtarake me Rusinë - një përshkallëzim dramatik i luftës.

Qyteti afër Kievit është “gati tërësisht i shkatërruar”

Oleksiy Kuleba, kreu i Administratës Shtetërore Rajonale të Kievit, tha se një qytet në veriperëndim të Kievit është “pothuajse plotësisht i shkatërruar”.

Nuk ka ujë dhe energji elektrike atje … Nuk ka Borodyanka. Është pothuajse plotësisht i shkatërruar. Qendra e qytetit është thjesht e tmerrshme. Borodyanka është nën ndikimin e trupave ruse; ata kontrollojnë këtë vendbanim”, tha Kuleba.

Kuleba pohoi më herët sot në llogarinë e tij në Telegram se trupat ruse dukej se kishin marrë nën kontroll një spital psikiatrik atje me qindra pacientë, por ata tani janë larguar, shkruan CNN.

Këta njerëz janë kryesisht të sëmurë, ata janë kryesisht njerëz me nevoja të veçanta. Por këta janë njerëzit tanë dhe ne nuk mund t’i lëmë dhe nuk do t’i lëmë kurrë”, tha më herët Kuleba.

Sot nuk e kuptojmë se si t’i evakuojmë këta njerëz, si t’i ndihmojmë ata”, tha ai, duke shtuar se atyre po u mbarojnë ilaçet dhe uji.

Pas një sulmi me raketa në një bllok të madh apartamentesh në Borodyanka më 2 mars, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës i tha CNN dje se njerëzit mund të jenë ende të bllokuar në rrënojat e ndërtesës. Borodyanka ka parë granatime të vazhdueshme gjatë ditëve të fundit, ashtu si edhe qytetet e vogla përreth

Elon Musk e ndihmon përsëri Ukrainën, ja për çfarë bëhet fjalë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha sot se ai kishte folur me CEO të SpaceX, Elon Musk dhe njoftoi se vendi do të marrë më shumë nga interneti satelitor, Starlink këtë javë.

Kam biseduar me @elonmusk”, shkroi Zelensky në Twitter:

"Unë i jam mirënjohës atij për mbështetjen e Ukrainës me fjalë dhe vepra. Javën e ardhshme do të marrim një grup tjetër sistemesh Starlink për qytetet e shkatërruara. Diskutuam projektet e mundshme hapësinore. Por unë do të flas për këtë pas luftës."

Starlink ofron internet me shpejtësi të lartë nga hapësira me satelitët që fluturojnë në orbitën e ulët të Tokës, shkruan BBC, përcjell "Bota sot".

Musk tha të enjten se sistemi ishte i vetmi sistem komunikimi jo-rus që ende punon në disa pjesë të Ukrainës pas pushtimit rus.

Ndërkohë, në një fjalim drejtuar popullit ukrainas të shtunën mbrëma, Zelensky u bëri thirrje qytetarëve në zonat e pushtuara ruse të vendit që të luftojnë kundër ushtrisë së Vladimir Putin.

Ukrainas! Në të gjitha qytetet tona, ku armiku pushtoi, shkoni në ofensivë. Dilni në rrugë. Ne duhet të luftojmë sa herë që kemi një mundësi”, tha ai.

Kuleba: Rusia ka humbur mbi 10 mijë ushtarë

Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmitro Kuleba, ka deklaruar se Rusia ka humbur mbi 10 mijë ushtarë që nga dita e parë e pushtimit të Ukrainës.

Në një video-mesazh të lëshuar nga qeveria ukrainase, Kuleba tha se rusët kanë humbur dhjetra avionë dhe qindra automjete të blinduara.

Associated Press thekson se nuk mund t’i verifikonte ato pretendime sepse ushtria ruse nuk jep rregullisht informacione për viktimat e saj.

Ukraina po kullon gjak, por Ukraina nuk ka rënë dhe po qëndron në këmbë (me të dyja këmbët në tokë)”, tha Kuleba

Kongresmeni amerikan: Ndalimi i naftës ruse është prioriteti i parë

Kongresmeni amerikan thotë që për SHBA ka prioritet të parë të ndaloj naftën nga Rusia.

"Gjëja e parë për të cilën do të shihni se Kongresi po shtyn është një embargo," tha ai, duke vënë në dukje se rreth 8% e importeve të naftës amerikane janë nga Rusia.

Një embargo do të ishte "traumatike për aleatët tanë evropianë", të cilët janë më të varur, tha demokrati i Illinois. "Pra, kjo do të marrë mjaft diplomaci."

Komentet e tij vijnë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli me Quigley dhe më shumë se 300 kolegë të tij, duke kërkuar ndalimin e importit të naftës ruse, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Një ndalim i naftës ruse ka ofruar një moment të rrallë bashkëpunimi dypartiak në Kongresin e SHBA - ligjvënësit republikanë dhe demokratë i kanë bërë presion publikisht administratës Biden për të zbatuar një embargo.

SHBA është një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, ndërsa BE-ja mbështetet në importet për të përmbushur 61% të nevojave të saj për energji.

BE-ja duhet të varet më pak nga energjia ruse, thonë Von der Leyen

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se BE-ja duhet të “heq qafe” varësinë e saj nga nafta, gazi dhe qymyri rus.

Ne duhet të diversifikojmë furnizimin, duhet të përmirësohemi në efiçencën e energjisë dhe të investojmë masivisht në burimet e rinovueshme,” tha ajo në një konferencë shtypi në Madrid së bashku me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, ku edhe diskutuan për çështjen e energjisë përpara samitit të BE –së në Versaje.

Krahasuar me vendet tjera, Spanja ka varësi të ulët nga energjia ruse.

Pak më pak se 9% e importeve totale të gazit të Spanjës janë nga Rusia, sipas CORES, ndërsa gazi rus në Gjermania përbën 65% të furnizmit.

Megjithatë, furnizimi me gaz i Spanjës gjithashtu u ndërpre kohët e fundit. Në tetor, Algjeria, e cila furnizon rreth 42% të gazit të Spanjës, mbylli një tubacion kyç që kalonte përmes Marokut në Spanjë si pjesë e një mosmarrëveshje diplomatike me Marokun.

Von der Leyen vlerësoi gjithashtu përdorimin e burimeve të rinovueshme nga Spanja, të cilat mbuluan 21% të kërkesës për energji të vendit në vitin 2021.

Bashkimi Evropian jep 500 milionë euro ndihmë për refugjatët ukrainas

Bashkimi Evropian ka njoftuar se do ta jap këstin e parë prej 500 milionë eurosh si ndihmë humanitare për refugjatët ukrainas.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ka thënë se Ukraina meriton solidaritetin dhe mbështetjen evropiane.

BE po jep këstin e parë prej 500 milionë euro për të ndihmuar refugjatët dhe këtë javë u siguruam që ata të kenë të drejtën për të jetuar në BE për të paktën një vit. Refugjatët nga Ukraina meritojnë solidaritetin dhe mbështetjen tonë, si dhe vendet pritëse”, thuhet në deklaratë.

Siç raportoi Ukrinform, më 24 shkurt, presidenti i vendit agresor, Vladimir Putin, shpalli fillimin e pushtimit të Ukrainës. Trupat ruse qëllojnë dhe shkatërrojnë infrastrukturën kryesore, raketat godasin shtëpitë.

Në Ukrainë u vendos ligji ushtarak dhe u shpall mobilizimi i përgjithshëm.

Ukraina ka ngritur zyrtarisht një padi kundër Federatës Ruse në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së në Hagë.

 Zelensky u kërkon ligjvënësve amerikanë ndihmë për marrjen e armëve

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka përsëritur një thirrje për një zonë të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij në një adresë me video-lidhje drejtuar afro 300 ligjvënësve amerikanë.

Ai gjithashtu bëri thirrje për ndalimin e importeve të naftës ruse dhe kërkoi avionë luftarakë të prodhuar nga Rusia, të cilët pilotët e vendit të tij dinë t'i fluturojnë, për të ndihmuar në luftimin e avancimit të armikut në vendin e tij.

Në përgjigje, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se do të ndihmonte administratën e Bidenit për të lehtësuar transferimin e tyre nga Evropa Lindore, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Zelensky gjithashtu theksoi nevojën për mbështetje shtesë ushtarake dhe ndihmë humanitare, por dy nga kërkesat e tij të tjera tashmë janë refuzuar nga SHBA.

Së pari, zona e ndalim-fluturimit e cila, ndërkohë që ndërpret mbështetjen ajrore ruse, do të rrezikonte gjithashtu të tërheqë aleatët e NATO-s në konflikt.

Dhe së dyti, ndalimi i importit të naftës ruse, për të cilin administrata Biden ka frikë se mund të rrisë më tej çmimin e naftës.

Presidenti Volodymyr Zelensky u kërkon ukrainasve të vazhdojnë rezistencën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje të shtunën ukrainasve që të vazhdojnë rezistencën e tyre, duke thënë:

Ukrainas! Në të gjitha qytetet tona, ku armiku pushtoi, shkoni në ofensivë. Dilni në rrugë. Ne duhet të luftojmë sa herë që kemi një mundësi.”

Në një adresë video të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook, Zelensky tha se ukrainasit nuk do t'ia lënë vendin e tyre "një armiku" dhe përgëzoi besimin e popullit ukrainas, shkruan CNN, përcjell “Bota sot”.

“Kur nuk ke armë zjarri, por ata përgjigjen me të shtëna dhe nuk ia mbath… Kjo është arsyeja pse pushtimi është i përkohshëm. Populli ynë -- ukrainasit -- nuk tërhiqet," tha Zelensky.

Zelensky duartrokiti rezistencën dhe protestat e popullit ukrainas.

"Ata u bërtasin okupatorëve që të shkojnë në shtëpi, si luftanija ruse, duke i shtyrë pushtuesit jashtë territorit tonë," vazhdoi ai. “Çdo metër e tokës tonë ukrainase e rikuperuar nga protesta është një hap përpara, një hap drejt fitores”.

​Forcat ruse përparojnë drejt termocentralit të tretë bërthamor, thotë Zelensky

Forcat ruse kanë kapur dy termocentrale ukrainase dhe po përparojnë drejt një të treti, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Në një telefonatë me senatorët amerikanë më herët gjatë ditës së sotme, Zelensky tha se termocentrali i tretë aktualisht nën kërcënim është termocentrali bërthamor Yuzhnoukrainsk, i vendosur 120 km në veri të Mykolaiv, një nga disa qytete që forcat ruse po përpiqen të mbajnë të rrethuar.

Rusia aktualisht kontrollon centralin bërthamor Zaporizhzhya në qytetin jugor të Enerhodar, centrali më i madh bërthamor në Evropë, dhe Çernobilin, i cili nuk është aktiv, por ende ka staf dhe mirëmbahet, transmeton CNN.

Nëntë avionë dhe helikopterë rusë u shkatërruan nga ukrainasit në 24 orët e fundit

Nëntë avionë dhe helikopterë rusë janë rrëzuar në 24 orët e fundit.

Kështu bënë të ditur Forcat e Armatosura të Ukrainës përmes një cicërimë në Twitter.

Sipas tyre, njëri nga avionët e rrëzuar ishte i llojit Su-34.

“Nëntë avionë dhe helikopterë rusë u rrëzuan në 24 orë, duke përfshirë një nga Su-34 më të rinj rusë në Chernihiv”, thuhet në cicërimën e tyre.

Granatimi i banesave në periferi të Kievit

Një zonë e banueshme në Irpin, në veriperëndim të Kievit, ishte cak i granatimeve të vazhdueshme që forcat ruse po kryejnë përreth kryeqytetit ukrainas.

Kjo video amatore, shfaq granatimet ndaj banesave në këtë zonë.

Videoja u postua në rrjetet sociale më 4 mars.

Pamjet nga REL:

Rrëfehet ukrainasja e strehuar në bodrumet e Kievit: Shtëpia e babait u bë rrafsh me tokë

Në Kiev mbretëron një qetësi e frikshme. Kryeqyteti është shpartalluar dhe rraskapitur nga sulmet ajrore si dhe detonimet në pjesët përreth. Nganjëherë godasin edhe në zemër të qytetit. Çfarë mund të vije në vijim, nuk e di askush, por mund të imagjinohet.

Banorët e kryeqytetit të rrethuar janë në kontakt me shokët dhe kushërinjtë, përderisa forcat ruse godasin zonat e banueshme me egërsi në qytetet veriore, jugore dhe lindore.

BBC ka raportuar për ukrainasen e quajtura Liana, e cila po qëndron në një bodrum, diku në Kiev, për t’u strehuar.

Ajo është e shqetësuar për babain e moshuar të saj, i cili jeton në jug, afër Çernobilit, ku trupat ruse kanë depërtuar dhe një ditë kanë trokitur në derën e tij, duke kërkuar cigare. Ende qëndrojnë aty, raporton BBC.

Kur e mori lajmin, Liana shpërtheu në të qara. Babai i saj qëndroi në bodrum për ditë të tëra dhe doli për të marrë ajër vetëm pas disa ditësh, kur krismat pushuan.

Image
Liana shpërtheu në të qara

“Pa vetëm qiellin. Shtëpia e tij u shkatërrua. Gjithçka që ndërtoi në jetën e tij, humbi. Si mund t’ia nis nga fillimi?”, ka pyetur Liana, babai i së cilës është në gjashtëdhjetat.

Pranë shtëpisë së tij të rrafshuar nga luftimet, shtëpitë e fqinjëve ishin në flakë.

Pa pasur një vend të shkojë, ai bashkë me familjen kanë pirë vodka, e vetmja mbrojtje e mbetur kundër temperaturave nën zero në këtë luftë të pamëshirshme.

Vazhdojnë bombardimet në disa qytete të Ukrainës

Bombardime të rënda janë raportuar në Irpin, një qytet në periferi veriperëndimore të Kievit.

Këto sulme vazhdojnë gjithashtu edhe në qytetin jugor të Mariupolit, ku një armëpushim i planifikuar për t’u mundësuar banorëve të largoheshin u ndërpre menjëherë pasi filloi.

Granatime të rënda goditën Kharkivin dhe Sumy në lindje gjatë natës, raporton BBC.

Luftimet e ashpra pati edhe në veri-perëndim të kryeqytetit Kiev rreth aeroportit kyç Hostomel.

Forcat ruse vazhdojnë përpjekjet për të rrethuar Kievin, i cili së bashku me Kharkivin, mbetet nën kontrollin e Ukrainës pavarësisht bombardimeve të rënda.

Turqia dhe SHBA-ja do të koordinojnë përgjigjen ndaj luftës në Ukrainë

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara mbesin “në koordinim të ngushtë” teksa po punojnë për zgjidhjen diplomatike të pushtimit rus të Ukrainës, tha Ministria e Jashtme e Turqisë pas bisedimeve që zhvilluan të shtunën zëvendësministrat e Jashtëm të dy shteteve.

Raportet midis Turqisë dhe SHBA-së kanë qenë të tensionuara viteve të fundit për një varg çështjesh, përfshirë edhe blerjen nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400 dhe dallimeve të politikave në Siri dhe në lindje të Mesdheut. Uashingtoni kishte vendosur sanksione ndaj Ankarasë më 2020 për shkak të blerjes së sistemit S-400.

Turqia ndan kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi dhe ka raporte të mira me të dy shtetet. Ankaraja e ka cilësuar si të papranueshëm sulmin rus, por ka kundërshtuar që të vendosë sanksione ndaj Moskës.

Në deklaratën pas bisedimeve midis zëvendësministrit të Jashtëm turk, Sedat Onal, dhe nënsekretares amerikane të Shtetit, Wendy Sherman, në Ankara, Ministra e Jashtme turke tha se aleatët “kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

“U theksua rëndësia e të qenit në koordinim të ngushtë për të menaxhuar ndikimet e shumanshme të krizës dhe për të mbështetur një zgjidhje diplomatike”, u tha në deklaratë dhe u shtua se dy zyrtarët biseduan edhe për raportet dypalëshe.

“U konfirmua vullneti i përbashkët për të thelluar bashkëpunimin dypalësh përmes një dialogu të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar dhe u theksua se pavarësisht mospajtimeve të vazhdueshme për disa çështje, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara kanë një agjendë të gjerë pozitive”, u tha në deklaratë.

Në përgjigje të pushtimit rus, Turqia ka mbyllur për qarkullimin e anijeve Ngushticën e Bosforit dhe Dardaneleve që lidhin Mesdheun me Detin e Zi sipas marrëveshjes së vitit 1936 që kufizon qarkullimin e disa anijeve ruse.

Megjithatë, Ankaraja ka kritikuar Perëndimin për përgjigjen ndja sulmit, duke thënë se sanksionet mbi Rusinë duhet të kenë synim që ta ndalin luftën.

Edhe pse ka raporte të ngushta me Rusinë në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe tregtisë, Rusia po ashtu i ka shitur dronë Kievit, gjë që e ka zemëruar Moskën. Turqia, turizmi i së cilës varet shumë nga turistët rusë, po ashtu kundërshton politikat e Moskës në Siri dhe Libi, por edhe aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë.

Presidenti ukrainas drejtohet popullit: Rezistoni, ky shans vjen një herë në jetë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje popullit të tij që ta vazhdojë rezistencën ndaj përpjekjeve ruse për pushtim.

Ai ka vlerësuar rolin e civilëve ukrainas dhe luftëtarëve që po rezistojnë.

Zelensky ka thënë se kjo është një kohë e veçantë për Ukrainën dhe është një mundësi jetësore për secilin që të rezistojë.

“Ukrainas që gjendeni në qytetet ku ka hyrë armiku, sulmoni”, ka shkruar ai.

Kryeministri izraelit e kishte lajmëruar SHBA-në për takimin me Putinin

Kryeministri izraelit Naftali Bennett është takuar me Vladimir Putin në Kremlin, ka konfirmuar zyra e tij. Bisedimet zgjatën rreth dy orë e gjysmë.

Zyra e Bennettit thotë se e lajmëroi SHBA-në përpara takimit me Putinin.

Ka pasur shumë debate nëse qeveria izraelite mund ose duhet të ndërmjetësojë realisht në krizë - në mënyra të ndryshme nuk u mor aq seriozisht në fillim.

Por Bennett që fluturon për në Moskë në mes të izolimit global të Rusisë duket se e çon idenë në një nivel tjetër.

 Rusia kërkon derën për të dalë nga katrahura ku është futur, flet për paqe në Ukrainë

Zyrtari i Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Alexey Polischcuk ka dhënë sinjale se Rusia po kërkon derën që të dalë nga katrahura që e ka shkaktuar në Ukrainë. Ai ka folur për rikthimin e paqes në Donbass dhe në të gjithë Ukrainën.

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, Polishchuk është deklaruar për luftën e deritanishme në Ukrainë, duke thënë se shpreson që nga negociatat së shpejti të rikthehet paqja në Donbass dhe si rrjedhojë në të gjithë Ukrainën.

“Presim që negociatat të mbahet në një mënyrë konstruktive dhe të sjellin paqen në Donbass dhe rikthimin e një jete paqësore dhe të drejtë për të gjithë Ukrainën”, ka thënë ai.

Sipas diplomatit, Moska shpreson që rundi i tretë i negociatave të mbahet në të ardhmen e afërt. Për kohën e mbajtjes së negociatave, tashmë është raportuar se do të zhvillohen të hënën e ardhshme.

“Është e pamundur të thuash se sa runde negociatash do të mbahen. Ne nuk po humbim optimizmin”, ka deklaruar ai.

Polischchuk ka thënë se kërkesë e Rusisë në negociata është që Ukraina të demilitarizohet dhe denazifikohet, që populli i Donbassit të mbrohet dhe që çdo kërcënim ushtarak nga territori ukrainas ndaj Rusisë, të eliminohet.

“Bisedimet s’kanë qenë të lehta. Megjithatë, gjëja kryesore deri tani, është që delegacionet janë pajtuar në krijimin e korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve dhe për një armëpushim të mundshëm në zonat ku do të lëvizin këta civilë”, ka deklaruar diplomati rus.

Me 28 shkurt, u mbajt rundi i parë i negociatave, që zgjati pesë orë. I dyti më 3 mars, ku u arritën disa marrëveshje dhe u vlerësua se është bërë një progres. Megjithatë, pala ukrainase është ankuar që Rusia nuk i ka përfillur e as respektuar marrëveshjet e arritura në tavolinë.

Kryediplomati ukrainas në kufi me Poloninë për takim me Sekretarin amerikan, ky është armatimi që i kërkoi

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba u takuan në kufirin e Ukrainës me Poloninë, të shtunën për të diskutuar përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë gjatë kësaj lufte.

Mes sigurisë së rreptë, Blinken dhe Kuleba zhvilluan bisedime në një tendë në kufi. Kryediplomati ukrainas tha se Ukraina ka nevojë për avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

“E gjithë bota qëndron me Ukrainën, ashtu si unë jam këtu në Ukrainë me mikun tim, kolegun tim”, tha Blinken.

Ndërsa kryediplomati ukrainas tha se ”Shpresoj se populli i Ukrainës do të jetë në gjendje ta shohë këtë si një manifestim të qartë se ne kemi miq që fjalë për fjalë na qëndrojnë pranë.”

Të dy diskutuan sigurimin e armëve për Ukrainën dhe fushatën për të izoluar Rusinë ndërkombëtarisht dhe për të dëmtuar ekonominë e saj me sanksione, tha Kuleba, shkruan Reuters.

Ministri i jashtëm ukrainas tha se Ukraina do ta fitojë luftën e saj me Rusinë përfundimisht, tha ai, por mbështetësit e saj ndërkombëtarë duhet të ofrojnë më shumë ndihmë për t’i dhënë fund konfliktit më shpejt.

“Ukraina ka nevojë veçanërisht për avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. Armët anti-ajrore Stinger të ofruara nga vendet perëndimore po ndihmojnë. Forcat ukrainase rrëzuan tre avionë rusë të shtunën. Nëse vazhdojnë të na ofrojnë armët e nevojshme, çmimi do të jetë më i ulët. Kjo do të shpëtojë shumë jetë,” tha ai.

Kuleba tha se ai nuk pa përparim në bisedimet me Rusinë për një armëpushim që po mbahet në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë, por “ne duhet të vazhdojmë të flasim”.

Një raund i tretë i bisedimeve është planifikuar për të hënën.

Shkollat në Ukrainë shndërrohen në gërmadha

Shkollat në mbarë Ukrainën janë shkatërruar nga granatimet dhe sulmet ajrore ruse.

Në një prej këtyre sulmeve, një nxënëse e plagosur ka publikuar një video në Instagram ku ka thënë:

“Shpresoj që gjërat janë më mirë në vendin ku jetoni... Dërgojani këtë video të gjithë miqve tuaj rusë”.​

Blinken bisedon me kryediplomatin kinez për luftën në Ukrainë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka biseduar me ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, lidhur me “luftën e paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Moskës kundër Ukrainës”.

Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, sekretari Blinken ka thënë se bota po shikon se si shtetet po ngrihen për të mbrojtur parimet bazike të lirisë, vetëvendosjes dhe sovranitetit.

“Ai [sekretari Blinken] theksoi se bota po vepron njëzëri për t’iu përgjigjur agresionit rus, duke siguruar që Moska do të paguajë çmim të lartë”, tha Price.

Image
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi. Fotografi nga arkivi.

 

Kina, një aleate e Rusisë, nuk e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, por ka thënë se i “vjen keq” për konfliktin.

Putin: Ndalim fluturimi mbi Ukrainë, do të përbënte përfshirje në konflikt

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi të shtunën se Moska do ta konsideronte si përfshirje në konflikt nëse një palë e tretë do të vendoste për një zonë ndalim fluturimi mbi Ukrainë.

Ndërsa forcat ruse vijuan sulmet e tyre në Ukrainë, zoti Putin tha se sanksionet perëndimore ishin të ngjashme me shpalljen e luftës.

Komentet e presidentit rus vijnë ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i kërkoi NATO-s të ndalonte fluturimet mbi Ukrainë.

Vendet anëtare të NATO-s po ofrojnë ndihmë ushtarake për forcat qeveritare të Ukrainës për luftën kundër ushtrisë ruse, Por aleanca ka refuzuar kërkesat e Ukrainës për të zbatuar një zonë ndalim-fluturimi mbi vend, duke thënë se kjo mund të provokojë një konflikt shumë më të gjerë dhe akoma më të rrezikshëm.

Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy thotë se forcat ukrainase kontrollonin qytetet kryesore në pjesën qendrore dhe juglindore të vendit, ndërsa rusët po përpiqeshin të bllokonin dhe mbanin të rrethuar qytete si Kharkiv, Mykolaiv, Chernihiv dhe Sumy.

Rusia do të kthejë diplomatët rusë nga SHBA në Moskë

Një aeroplan qeveritar rus do të shkojë nga Shën Petersburgu në Uashington që të kthejë diplomatët rusë në vendin e tyre, tha të shtunën në llogarinë e saj në Telegram zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, transmeton CNN.

Ky avion do të kthehet në atdheun e tyre diplomatët rusë, të cilët qeveria amerikane i ka shpallur persona non grata”, shtoi Zakharova. Asnjë afat kohor nuk ishte dhënë në deklaratën e Zakharova.

Qeveria e SHBA miratoi një fluturim charter nga qeveria ruse për të lehtësuar largimin e personelit të misionit rus të Kombeve të Bashkuara, të cilët u dëbuan për abuzim me privilegjet e tyre të qëndrimit.

Ky përjashtim i veçantë u bë në përputhje me rregulloret federale për të siguruar që personeli i misionit rus dhe familjet e tyre të largoheshin deri në datën që kishim udhëzuar, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

​Si ka ndryshuar bota në 10 ditë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia

Pushtimi rus i Ukrainës ka marrë qindra jetë në fushën e betejës dhe në qytetet ukrainase nën bombardime. Por ndërkombëtarisht, po ndikon gjithashtu në gjithçka, nga siguria ushqimore në Kajro te çmimet e gazit në Kaliforni. Është shtyrë në plan të parë ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe ka ndryshuar mënyrën se si funksionojnë disa prej institucioneve më të shquara të globit.

Ja si ka ndryshuar bota në 10 ditët që kur lufta u kthye në Evropë, shkruan CNN.

Pushtimi i Ukrainës nuk solli një epokë të re të politikës së fuqive të mëdha. Ishte pasthirrma e dhunshme që konfirmoi një nga ndryshimet më të rëndësishme në rendin gjeopolitik botëror që nga 11 shtatori 2001.

Në vitet që pasuan, terrorizmi global tërhoqi shumë vëmendjen e liderëve perëndimorë. Al Kaeda dhe ISIS ishin armiqtë që kishin nevojë për kundërvënie. Moska nuk shihej më si i njëjti kërcënim që ishte dikur - aq sa, në vitin 2012, presidenti Barack Obama u tall me kandidatin e atëhershëm presidencial Mitt Romney duke thënë se e quajti Rusinë armikun numër një gjeopolitik të Shteteve të Bashkuara.

Në atë kohë, Putin kishte treguar tashmë se ishte i prirë të ndryshonte rendin e pas Luftës së Ftohtë.

Ish-oficeri i inteligjencës së KGB-së mori detyrën në vitin 2000 duke u zotuar se do t'i kthente Rusisë lavdinë e mëparshme, ndonjëherë përmes forcës ushtarake. Si kryeministër në vitin 1999, ai filloi një ofensivë në republikën ruse të Çeçenisë kundër guerilëve separatistë. Në vitin 2008, Rusia pushtoi Gjeorgjinë dhe njohu dy republika separatiste në vend, i cili në atë kohë po afrohej më shumë me Evropën.

Më vonë, mbështetja e Vladimir Putin për presidentin sirian Bashar al-Assad, gjoja si një aleat në luftën kundër terrorizmit, nuk i dha atij favore me demokracitë perëndimore, jo më pak për shkak të raporteve të besueshme të vendimit të diktatorit sirian për të sulmuar popullin e tij me armë kimike. Vendimi i Rusisë për të aneksuar Krimenë në vitin 2014 dhe për të mbështetur separatistët në Ukrainën lindore çoi në sanksione dhe u dënuan ashpër. Kështu ishin edhe përpjekjet e supozuara të Rusisë për të vrarë armiqtë e saj në tokë të huaj.

Por Putin mbeti një lojtar dhe partner i rëndësishëm, megjithëse i pakëndshëm, për liderët nga Uashingtoni në Varshavë gjatë viteve 2010. Rusia ishte faktor i rëndësishëm në luftën kundër ISIS, furnizuesi kryesor i Evropës me energji dhe ndihmoi në negocimin e pakteve të mëdha diplomatike si marrëveshja bërthamore e Iranit e vitit 2015.

Pushtimi i javës së kaluar mund t'i ketë dhënë fund kësaj. Pas një çerek shekulli që bota perëndimore kishte të bënte me Putin-in, ai më në fund mund ta ketë shtyrë zarfin dhe të jetë bërë i pabesë.

Si kundërpërgjigje, bota perëndimore e ka goditur Rusinë me sanksione të paprecedentë që kanë gjymtuar institucionet e saj financiare, duke e çuar ekonominë e saj dhe rublën në një kthesë, madje kanë shënjestruar personalisht Putin-in dhe disa nga rrethi i tij i ngushtë.

“Putin tani është i izoluar nga bota më shumë se sa ka qenë ndonjëherë”, tha presidenti amerikan Joe Biden të martën në fjalimin e tij.

Kështu duket Markhalivka një ditë pas goditjes së sulmeve ajrore

Të paktën gjashtë persona përfshirë një fëmijë u vranë në një sulm ajror rus në një fshat rural në rajonin e Kievit të premten, sipas zyrtarëve ukrainas.

Duke shkruar dje në Facebook, policia tha se dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë u shtruan gjithashtu në spital në granatimet në fshatin Markhalivka, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Rreth 10 km (6 milje) nga periferia e kryeqytetit Kiev.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Pamjet tregojnë rrënojat në vendngjarje sot teksa banorët nisën të pastrojnë rrënojat.

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Izraelit takohet me Putinin në Moskë

Naftali Bennett, kryeministër i Izraelit, është takuar me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, në Moskë të shtunën për të diskutuar rreth krizës së Ukrainës, ka thënë një zëdhënës i tij.

Izraeli ka ofruar të ndërmjetësojë në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse zyrtarët më parë kanë minimizuar pritjet për një përparim, raporton Al Jazeera.

Duhet shtuar se konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë ka bërë që shtetet e ndryshme të reagojnë rreth kësaj krize.

Pjesa më e madhe dhe shtetet kryesore kanë dalur kundër Rusisë, shtete si: SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe e Franca.

Përveç këtyre edhe shtetet e afërta me Rusinë, si Kina, janë shprehur të rezervuar rreth këtij konflikti, madje ata kanë bërë thirrje tek të dy palët që të kenë kujdes të mos e përshkallëzojnë situatën që do dergonte drejt një konflikti më të madh.

Blinken premton më shumë ndihmë për refugjatët ukrainas

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, vizitoi të shtunën një pikëkalim kufitar midis Polonisë dhe Ukrainës, të cilin qindra-mijëra persona po e përdorin për t’u larguar pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Blinken po ashtu vizitoi një qendër në Poloni ku po qëndrojnë rreth 3,000 refugjatë. Ai tha se Uashingtoni po përgatitet që të ndajë edhe 2.75 miliardë dollarë për krizën humanitare.

“Populli i Polonisë e di se sa e rëndësishme është të mbrohet liria”, tha ai pasi bisedoi me ministrin e Jashtëm polak, Zbigniew Rau. Ky takim u zhvillua në qytetin Rzeszow, në juglindje të Polonisë.

“Polonia po bën punë vitale në përgjigje të krizës”, shtoi ai.

Image
Pamje nga Mauripol

Sekretari Blinken tha se Shtëpia e Bardhë do të ndajë 2.75 miliardë dollarë në mbështetje të personave që po largohen nga Ukraina dhe për shtetet që po i pranojnë refugjatët, pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.

Image
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken takohet me refugjatët në pikëkalimin kufitar ndërmjet Polonisë dhe Ukrainës. 5 mars, 2022.

UNHCR: Kriza më e madhe me refugjatë që prej Luftës së Dytë Botërore

Numri i refugjatëve që po ikin nga lufta në Ukrainë shumë shpejt mund të kalojë shifrën prej 1.5 milion, tha Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR).

Kjo është kriza më e shpejt e refugjatëve që kemi parë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”, tha kreu i UNHCR-së për agjencinë Reuters.

Afër 1.3 milion persona janë larguar nga shtëpitë e tyre që prej se pushtimi rus nisi më 24 shkurt.

Polonia thuhet se deri më tani ka pranuar mbi gjysmën e refugjatëve.

Numër të madh të refugjatëve kanë pranuar shtetet si Hungaria dhe Rumania. Por, jo të gjithë refugjatët po qëndrojnë në shtetin e parë që po arrijnë. Shembull në Rumani, nga 200,000 persona që kanë shkuar atje në tetë ditët e para të luftës, 140,000 prej tyre janë larguar për në shtete të tjera dhe rreth 60,000 kanë qëndruar në Rumani, tha UNHCR.

Tensione të ashpra në Ukrainë, ky është veprimi që Putini bëri gjatë ditës

Derisa në Ukrainë po vazhdon të mbetët e tensionuar situata, presidenti rus Vladimir Putin është takuar me stafin e linjës ajrore shtetërore Aeroflot.

I ulur rreth një tavoline të mbushur me rreth 20 gra, imazhi është shumë i ndryshëm nga një foto e fundit e tij duke mbajtur një takim në një tavolinë të gjatë, disa metra larg komandantëve të tij më të afërt ushtarak, shkruan BBC, përcjell “Bota sot”.

Takimi erdhi pasi Aeroflot tha se po anulonte të gjitha fluturimet ndërkombëtare përveç për Rusinë dhe Bjellorusisë.

Image
Foto nga takimi

Linjat ajrore ruse janë ndaluar nga hapësira ajrore në Mbretërinë e Bashkuar, BE dhe SHBA, si pjesë e një sërë sanksionesh për pushtimin e Ukrainës nga ana e vendit.

Rusia merr kontrollin e një spitali psikiatrik 

 Forcat ruse kanë marrë kontrollin e një spitali psikiatrik me 670 persona brenda në qytetin Borodyanka në rajonin e Kievit të Ukrainës, tha guvernatori rajonal Oleksiy Kuleba.

Sot ne nuk e kuptojmë se si t'i evakuojmë këta njerëz, si t'i ndihmojmë ata”, tha Kuleba. "Atyre po u mbarojnë uji dhe ilaçet", tha Kuleba.

Këta janë njerëz me nevoja të caktuara të veçanta, kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme... shumë prej tyre kanë qenë të shtrirë në shtrat për vite me radhë”, vijoi ai. 

Borodyanka është rreth 60 km nga Kievi.

Rusia ‘nuk do ta harrojë’ mbështetjen e Britanisë për Ukrainën

Ministria e Jashtme e Rusisë, ka lëshuar një deklaratë duke synuar drejtpërdrejt qeverinë britanike për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, thotë se Rusia nuk do ta harrojë bashkëpunimin e Mbretërisë së Bashkuar me Kievin, apo me ato që ajo i quan “forcat ultra-nacionaliste të Ukrainës”, sipas mediave ruse.

“Histeria e sanksioneve në të cilën Londra luan një nga rolet kryesore, nëse jo kryesore, nuk na lë zgjidhje tjetër veçse të marrim masa të ashpra hakmarrëse proporcionalisht”, tha ajo, duke shtuar se interesat britanike në Rusi do të “minohen” nga përgjigja e Moskës.

Narrativa zyrtare në Rusi është se kërcënimi për civilët në Ukrainë nuk vjen nga forcat ruse, por nga “nacionalistët ukrainas”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ofruar armë dhe ndihmë financiare për Ukrainën në mes të pushtimit.

Ukraina fajëson Rusinë për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit

Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit që do të duhej të niste në Mariupol dhe Volnovaka në mëngjesin e së shtunës.

Rusia ka fajësuar “nacionalistët” ukrainas për shkeljen e armëpushimit, që parashihte mundësimin e evakuimit të civilëve përmes korridorit humanitar.

Por, Ministria e Jashtme ukrainase sërish ka fajësuar Rusinë.

Lexo edhe: Kievi në luftë/Rusia nuk ndalet, barrikada dhe shpërthime kudo

MPJ e Ukrainës i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë Rusinë, për atë që e përshkroi si “shkelje të rëndë të marrëveshjeve për hapjen e korridoreve humanitare”.

“Granatimet e vazhdueshme e bëjnë të pamundur hapjen e korridoreve humanitare për evakuim të sigurt të civilëve, për dërgimin e ilaçeve dhe ushqimeve”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës në një postim në Twitter.

85 milionë funte të mbledhura për dy ditë në Mbretërinë e Bashkuar për të ndihmuar ukrainasit

Më shumë se 85 milionë funte janë mbledhur në Mbretërinë e Bashkuar për të ofruar ndihmë për Ukrainën.

Komiteti i Emergjencave të Fatkeqësive (DEC), i cili përbëhet nga 15 organizata bamirëse në Mbretërinë e Bashkuar duke përfshirë Kryqin e Kuq Britanik dhe Oxfam, falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar që kur apeli u nis të enjten.

Komiteti tha se “dhurime bujare” janë bërë tashmë për apelin nga Mbretëresha, Princi i Uellsit dhe Duka i Kembrixhit, si dhe mijëra qytetarë.

Totali i fundit përfshin 25 milionë funta nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Njerëzit janë inkurajuar të vazhdojnë të dhurojnë, pasi DEC ka paralajmëruar se mbështetja për Ukrainën ka të ngjarë të jetë e nevojshme për “muaj dhe vite”.

Pamje drithëruese, ukrainasit strehohen nën urën e shkatërruar gjatë përpjekjeve për evakuim

Agjencia e lajmeve Associated Press ka publikuar fotografi të ukrainasve nën një urë të shkatërruar në afërsi të Kievit në përpjekjet për t’u larguar nga lufta.

Image
Ukrainasit

Rusia është pajtuar që të ndalë bombardimet në dy qytete në jug të Ukrainës për ta mundësuar evakuimin e popullatës.

Por sipas autoriteteve ukrainase ushtria ruse s’e ka respektuar vendimin.

Mariupoli qyteti port është bombarduar fuqishëm ditëve të fundit nga forcat ruse.

Image
Ukrainasit

NATO me mesazh, teksa dy aeroplanë luftarak, një amerikan e tjetri gjerman, fluturojnë mbi Baltik

NATO ka reklamuar një aeroplan luftarak të llojit F-18, i cili ka realizuar një ushtrim për një kohë të shkurt mbi Baltik.

“Ky është aeroplani i Ushtrisë amerikane që mund të lëvizë qindra milje për të kryer manovra ushtarake”, thuhet në njoftimin e NATO-së, duke treguar se kjo manovër është kryer mbi Baltik për një kohë të shkurtër me mbështetjen e një aeroplani të forcave ajrore gjermane A400M.

Image
Ky është aeroplani i Ushtrisë amerikane që mund të lëvizë qindra milje për të kryer manovra ushtarake

 “Ne gjithmonë do të bëjmë çfarë është e nevojshme për të mbrojtur aleatët”, thuhet në njoftimin e NATO-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat