Komisioni i BE-së: Kroacia mund t'i bashkohet eurozonës

Evropë

Komisioni i BE-së: Kroacia mund t'i bashkohet eurozonës

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 08:39
Foto ilustrim

Komisioni Evropian vendosi që Kroacia mund t'i bashkohet eurozonës. Por për këtë nevojitet edhe një votim tjetër.

Komisioni Evropian ka arritur në përfundimin se Kroacia është gati për të futur në përdorim si monedhë zyrtare euron më 1 janar 2023. "Kjo do të forcojë ekonominë kroate dhe do të sjellë përfitime për qytetarët, bizneset dhe shoqërinë në tërësi", tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Anëtarësimi i Kroacisë në eurozonë do të forcojë edhe euron.

Sipas vlerësimeve të Komisionit të BE-së Kroacia përmbush të gjitha kriteret sa i përket stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, menaxhimit të shëndoshë buxhetor dhe normave afatgjata të interesit. Kroacia me rreth katër milionë banorë është anëtare e BE-së që nga viti 2013 dhe tani është rrugës për t'u bërë anëtari i 20-të i eurozonës.

Image
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Votim i sigurt

Pas rekomandimit të Komisionit të BE-së për anëtarësimin e Krocisë në eurozonë duhet të bien dakord edhe krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së.  Por pas vlerësimit të qartë të Komisionit të BE-së nuk priten vështirësi. Sapo të ndërmerret ky hap, që pritet në qershor, ministrat e Financave të BE-së pritet të vendosin rreth korrikut kursin e këmbimit në të cilin monedha kroate - kuna - do të konvertohet më 1 janar 2023.

Image
Kroatët kanë frikë se euroja mund të rrisë ndjeshëm koston e jetesës 

Sektori i fuqishëm i turizmit në Kroaci po e pret me padurim futjen e euros dhe ka pritshmëri të mëdha. Por në të njëjtën kohë shumë kroatë kanë frikë se kostoja e jetesës mund të rritet ndjeshëm si rezultat i konvertimit në monedhën e përbashkët evropiane.

Paralajmërim nga Banka Qendrore Evropiane

Banka Qendrore Evropiane (BQE) arriti në një përfundim pozitiv në vlerësimin e saj për Kroacinë. Megjithatë, drejtori i BQE-së, Fabio Panetta, i bëri thirrje qeverisë në Zagreb të bëjë edhe më shumë për të luftuar pastrimin e parave. Po ashtu ai kërkoi nga Zagrebi që të inicojë reforma strukturore për të forcuar potencialin e rritjes së ekonomisë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat