​Vdes krijuesi i mbishkrimeve të puthjes Brezhnev-Honecker në Murin e Berlinit

Evropë

​Vdes krijuesi i mbishkrimeve të puthjes Brezhnev-Honecker në Murin e Berlinit

Më: 16 gusht 2022 Në ora: 19:40
Foto ilustrim

Dmitri Brubel, piktori rus dhe krijuesi i grafitit të famshëm që përshkruan liderin e Bashkimit Sovjetik Leonid Brezhnev duke puthur në gojë liderin e atëhershëm gjermano-lindor Erich Honecker me mbishkrimin "Zot: më ndihmo të mbijetoj në mes të kësaj dashurie vdekjeprurëse", ka vdekur në Berlin në moshën 62-vjeçare.

Shumë njerëz mund të mos e njohin Brubel, por vepra e tij më e famshme ishte mbishkrimi që kishte pikturuar në Murin e Berlinit në anën e Berlinit Lindor para se të rrëzohej.

Në fillim të vitit 1990, galerinë që ai kishte krijuar në banesën e tij e vizitoi galeristi Alexander Brodovsky, i cili kishte ardhur nga Berlini për të gjetur piktorë për ekspozitën e parë të avangardës sovjetike në Gjermaninë Lindore.

Brodovsky e ftoi Brubel duke i sugjeruar që të pikturonte në Murin e Berlinit. Shumë nga të njohurit e tij e kishin cilësuar propozimin si "budalla" pasi pas dy muajsh do të shembej Muri i Berlinit, duke i sugjeruar që të shkonte në Berlinin Perëndimor dhe të bënte ekspozita në galeritë atje.

Brubel vendosi pavarësisht dyshimeve të shkonte në Gjermaninë Lindore. Me të mbërritur në Berlin dhe në pikën e Murit ku do të pikturonte, ishte një kamion me bojëra, ndërkohë që në disa vende disa artistë kishin pikturuar veprat e tyre dhe kjo pikë filloi të quhej Galeria e Anës Lindore.

Miku i Brubel, Aleksandër Marozov tha se “ky krijim i tij përmendet pothuajse çdo ditë si një ilustrim hyrës në tekstet që i referohen shembjes së bllokut të Lindjes".

Marozov duke iu referuar frazës nën grafitin "Zot: më ndihmo të mbijetoj në mes të kësaj dashurie vdekjeprurëse", thotë se megjithëse nuk dihet origjina e saj, ajo të kujton një thënie nga Bibla. Madje ai thekson se "ky përshkrim fillimisht u perceptua si një përshkrim satirik”, raportojnë mediat greke. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat