Ekstradimi i terroristëve, mblidhen delegacionet turke dhe suedeze

Evropë

Ekstradimi i terroristëve, mblidhen delegacionet turke dhe suedeze

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 19:36
Foto ilustrim

Në kryeqytetin turk Ankara kanë nisur bisedimet dy-ditore midis delegacioneve turke dhe suedeze për ekstradimin e terroristëve sipas marrëveshjes së NATO-s.

Pala turke kryesohet nga drejtori i përgjithshëm i Marrëdhënieve me Jashtë dhe Bashkimit Evropian  pranë Ministrisë së Drejtësisë, Kasım Çiçek.

Javën e kaluar, ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se po presin që Suedia dhe Finlanda të ekstradojnë anëtarët e FETO-s dhe PKK-së në Türkiye në kuadër të marrëveshjes së NATO-s, shkruan Anadolu.

Suedia dhe Finlanda zyrtarisht aplikuan për t’u anëtarësuar në NATO në muajin qershor, një vendim i shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Megjithatë, Turqia, një anëtare e NATO-s për mbi 70 vite, shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve të anëtarësimit, duke kritikuar dy vendet për tolerimin dhe madje edhe mbështetjen e grupeve terroriste.

Në muajin qershor, në samitin e NATO-s u nënshkrua një memorandum trepalësh midis vendeve, që përcakton se Finlanda dhe Suedia nuk do të ofrojnë mbështetje për YPG/PKK-në, degën siriane të PKK-së ose për organizatën terroriste FETO.

Finlanda dhe Suedia gjithashtu u pajtuan të trajtojnë kërkesat e pezulluara të Turqisë për dëbimin ose ekstradimin e të dyshuarve për terrorizëm.

Parlamenti i Turqisë duhet të ratifikojë aplikimet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë që ato t’i bashkohen NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat