Pse kutitë e votimit në Mal të Zi nuk janë transparente por të kaltra?

Evropë

Pse kutitë e votimit në Mal të Zi nuk janë transparente por të kaltra?

Më: 2 prill 2023 Në ora: 11:20
Zgjedhjet në Mal të Zi

Kutitë e votimit në qendrat e votimit në Mal të Zi, nuk janë transparente dhe arsyeja për këtë është trashësia e letrës së përdorur për të bërë fletëvotimet, shpjegoi drejtoresha ekzekutive e Qendrës për Monitorim dhe Hulumtim në Podgoricë (CeMI), Ana Neneziq.

Sipas saj, disa vite më parë, misionet e vëzhgimit kërkuan që kutitë të mos ishin më transparente, pasi pesha e letrës që përdorej për të shtypur fletët e votimit, e bënte shumë të lehtë për të parë se për kë ka votuar votuesi.

“Pesha e letrës për fletëvotimet ndryshon nga vendi në vend, dhe në Mal të Zi është shumë e hollë, prandaj e dukshme. Duke qenë se ishte e pamundur të shmangeshim nga kjo, para së gjithash për arsye financiare, ne shtruam një kërkesë që kutitë e votimit të mbroheshin dhe të mos ishin më transparente. Kërkesa u pranua, kështu që u sigurua fshehtësia e votës”, tha Neneziq.

E pyetur se pse kutitë janë pikërisht të kaltra, Neneziq nuk ka dhënë ndonjë përgjigje “precize”.

“Dyshoj se i janë qasur çështjes në mënyrë strategjike, dyshoj se kanë gjetur letër që nuk është transparente dhe e kanë përdorur për të mbuluar kutitë transparente që janë përdorur më herët. Duke ditur se si funksionojnë gjërat këtu, besoj se ishte më e lehta dhe më e lira për ta”, përfundoi Neneziq. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat