Ukrainasit në Bullgari: Ne nuk jemi nazistë

Evropë

Ukrainasit në Bullgari: Ne nuk jemi nazistë

Më: 4 qershor 2023 Në ora: 08:22
Solidaritet me Ukrainën në Bullgari, 7 prill 2022Fotografi: Alexandar Detev/DW

Shumë refugjatë ukrainas ndjehen të izoluar dhe shihen me armiqësi në Bullgari. Shpesh ata ofendohen si nazistë. Kjo armiqësi i ka rrënjët tek simpatia e fortë e bullgarëve për rusët.

Olena (emri i ndryshuar), 46 vjeçare ka frikë në Bullgari. Terapistja nga Ukraina erdhi nga Kievi në Bullgari pak ditë pas fillimit të agresionit rus. Por në Sofje ajo nuk ndjehet e sigurtë. "Një djalë bullgar, 12 vjeçar i tha vajzës sime në të njëjtën moshë, se të gjithë ukrainasit duhet të vdesin. Që atëherë ajo më thotë të kthehemi në shtëpi, se raketat atje janë më pak të tmerrshme se këtu", rrëfen nëna e shokuar. Ky djalë i ka thënë se të gjitha ukrainasit janë nazistë dhe Rusia do t'i mposhtë të gjithë një ditë.

Përditshmëri në Bullgari, një vend që konsiderohet si vend mik i Rusisë. Bullgaria ndërkohë është vendi më jomiqësor kundrejt refugjatëve nga Ukraina, konstatohet në një raport të Komisariatit të OKB-së për Refugjatët, UNHCR. Sipas këtij raporti që nga fillimi i luftës kanë ardhur 148.451 refugjatë në Bullgari. Dy të tretat e tyre janë larguar ndërkohë nga ky vend.

Këtë e planifikon edhe Julia (emri i ndryshuar) nga Dnjipro. Gruaja 60 vjeçare erdhi në mars 2022 nga Ukraina. "Që nga fillimi jemi ndjerë të padëshiruar dhe të izoluar në Bullgari. Nuk e di pse bullgarët që takoj të shohin kaq vëngër. Ndoshta sepse njerëzit si Kostadinov rregullisht ua mbushin mendjen, se refugjatët ukrainas jetojnë në kurrizin e bullgarëve, se gjoja shteti kujdeset për ta."

"Përçarja ruse" mes për mes shoqërisë

Image
Demonstratë proruse në Bullgari, 4 maj 2022Fotografi: Valentina Petrova/AP/dpa/picture alliance

Julija ka parasysh me këtë Kostadin Kostadinov, kreun e Partisë Rilindja, Vazrazhdane, një parti ultrakonservatore që është partia e tretë më e fuqishme në Bullgari. Jo shumë kohë më parë Kostadinov pretendoi, se ukrainasit janë të gjithë nazistë, dhe kur partia e tij të vijë në pushtet, do t'i kthejë në shtëpi "turistët" e maskuar si refugjatë. Partia Vazrazhdane dhe Kostadinov ndjekin një kurs të qartë prorus dhe antieuropian. Në demonstratat e tyre shihen flamuj rusë dhe postera të Putinit.  Kjo është një pakicë që i dëgjohet zëri gjithkund, por nuk mund të mohohet, se shumica e bullgarëve kanë simpati për Rusinë. Rrënjët e kësaj simpatie janë të thella, qëkur perandoria cariste ruse ndihmoi në fundin e shekullit të 19-të që bullgarët të çliroheshin nga Perandoria Osmane. Pas Luftës së Dytë Botërore stalinistët bullgarë ruajtën marrëdhënie të ngushta me Bashkimin Sovjetik.

Sot shoqëria është tejet e përçarë. Ndërkohë që një pjesë është kategorikisht antiruse dhe kërkon largimin nga "vëllai i madh" i dikurshëm. Pjesa tjetër ngre lart mitet e vëllazërisë bullgaro-ruse dhe mbështet narrativat antieuropiane. Si partia Vazrazhdane.

Image
Politikani ultrakonservator, Kostadin KostadinovFotografi: BGNES

"Këtu luhet muzikë bullgare"

Olena është mirënjohëse për miqtë bullgarë që e kanë ndihmuar, kur erdhi nga Ukraina, megjithëse e shokojnë kërcënimet e kreut të partisë ultranacionaliste, Kostadinov dhe nga vandalizmi i simpatizantëve të saj. Ajo kujton se gjatë një koncerti proukrainas persona me flamuj bullgarë u thërrisnin ukrainasve se janë nazistë dhe se duhet të largohen nga Bullgaria. "Ata luanin muzikë bullgare dhe kërcenin. Në fillim mendova sa bukur, në sheshin fqinj luhet muzika e dy kulturave, dhe njerëzit gëzohen së bashku. Shkova tek ata dhe i pyeta nëse mund të kërcejmë bashkë, por kur ata kuptuan që isha ukrainase, më thanë ashpër, se duhet të iki tek sheshi tjetër, aty ku ka muzikë ukrainase. Këtu luhet muzikë bullgare." Ajo dhe familja e saj do të largohen nga Bullgaria shpejt. "Nuk e besoj se ndokush do të qëndrojë këtu."

Image
Përkrahës të partisë proruse, Rilindja, njollosin godinën e Parlamentit Europian në SofjeFotografi: BGNES

Paguajnë bullgarët për refugjatët?

Pretendimi i Kostadinov se taksapaguesit bullgarë mbajnë me para refugjatët ukrainas nuk hidhet poshtë vetëm nga fakti që Bullgaria ka marr ndërkohë 100 milionë euro nga BE për mbështetjen e refugjatëve ukrainas. Julija përmend edhe një argument tjetër. "Unë jam dizajnere dhe punoj nga shtëpia për një firmë të huaj." Julia thotë, se nuk merr asnjë mbështetje sociale apo mbështetje tjetër. "Shumë ukrainas punojnë nga Home Office për punëdhënës të ndryshëm. Përditë ne shpenzojmë para këtu në Bullgari, për ushqime, veshje, për gjithçka duan fëmijët tanë. Kështu ne i ndihmojmë ekonomisë bullgare. Pse nuk flet kush për këtë?"

Në vend të kësaj bullgarët flasin për makinat e shtrenjta që ngasin ukrainasit. Kjo është e padrejtë, thotë Olena. "Ne nuk duhet të përgjithësohemi dhe të ofendohemi", thotë Olena. Ajo është e zemëruar. "Nëse ne jemi nazistë, si thonë disa këtu, pse u edukuam ne atëherë për të respektuar vlerat njerëzore dhe të drejtat e njeriut?" Ajo kujton incidentin me vajzën e saj. "Çfarë nazistësh jemi ne, vajza ime dhe unë? Dhe pse duhet të vdesim, siç thotë një 12-vjeçar? Kjo është shumë e rrezikshme."/DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat