Shumë vende evropiane janë goditur nga një valë e jashtëzakonshme e motit të ngrohtë, e cila po shkakton temperatura që janë 10 deri 16 gradë celsius mbi ato mesataret, për këtë kohë të vitit.
Shumë qytete dhe rajone tanimë kanë raportuar për temperatura rekord përderisa meteorlogët kanë thënë se moti do të vazhdon të ngrohët edhe më tej gjatë tërë muajit Maj.
Franca dhe Britania e madhe tanimë kanë raportuar për viktimat e para të kësaj vale të motit ekstrem, përderisa i ngrohti i jashtëzakonshëm po shkakton probleme të ndryshme, nga ato në trafik dhe infrastrukturë deri tek stër-ngarkimi i shërbimeve mjekësore dhe atyre emergjente.
Ekspertët kanë thënë se kushtet meteorologjika kanë krijuar një lloj të "kupolës së nxehtësisë" mbi një pjesë të madhe të Evropës, e cila po e përqendron ajrin e ngrohtë mbi kontinent duke e rritur nivelin e rrezatimit dhe, rrjedhimisht temperaturave- sipas tyre, ky maj është tanimë maji më i ngrohtë në Evropë në së paku 80 vite por, shtojnë se moti do të ngrohët edhe më tej.
Sipas tyre, kushtet e krijuara nga kupola e nxehtësisë mbi Evropë, nënkuptojnë se gjatë ditëve të ardhshme nxehtësia do të vazhdon të përqendrohet mbi kontinent duke shkaktuar temperatura çdo herë e më të larta.
Disa vende tanimë kanë publikuar paralajmërime për qytetarët , duke thënë se kombinimi i të ngrohtit të jashtëzakonshëm dhe lagështisë së madhe në ajër mund të jetë i rrezikshëm për disa kategori të popullatës përderisa të tjerat kanë vendosur shërbimet emergjente në gjendje gatishmërie duke thënë se, me arritjen e verës, Evropa do të mund të ballafaqohet me valë pas valë të motit ekstrem i cili mund ta bën këtë verë, më të ngrohtën në më shumë se 100 vjet.