Policia franceze ka arrestuar të paktën pesë individë të lidhur me vjedhjen e katër veprave të artit nga muzeu Renoir më 8 shtator.
Mes të arrestuarve besohet se ndodhen edhe dy nga autorët e drejtpërdrejtë të vjedhjes. Sipas gazetës Nice-Matin, e cila raportoi e para për arrestimet, të dyshuarit mund t'i përkasin një grupi të krimit të organizuar.
Kryetari i bashkisë, Bryan Masson, tha për stacionin lokal Ici Azur se autorët e vjedhjes hynë në muze përmes kopshtit, duke prerë gardhin, dhe më pas thyen një dritare në katin përdhes. Duke përdorur një sharrë elektrike, ata prenë mbajtëset që fiksonin kornizat e pikturave.
Masson shtoi se ata u "identifikuan falë kamerave të mbikëqyrjes së qytetit".
Vlera totale e veprave të artit të vjedhura vlerësohet nëntë milionë euro. Dy piktura u gjetën në kopshtin e muzeut, ndërsa po vijon kërkimi për dy pikturat e tjera - "Portreti i Madame Colonna Romano" (1910) dhe "Gruaja e re te pusi" (1886).
Muzeu Renoir ndodhet në një qytet mesdhetar midis Kanës dhe Nisës dhe është pika më e famshme e tij. Muzeu u hap në vitin 1960 në shtëpinë që shërbeu si banesa e fundit e piktorit. Renoir jetoi aty deri në vdekjen e tij në vitin 1919, kur ndërroi jetë nga pneumonia në moshën 78-vjeçare.