Policia e Zagrebit ka përfunduar një hetim penal ndaj një gruaje 80-vjeçare, e dyshuar për dëmtimin e pesë veturave me çelës në zonën Susedgrad.
Ajo akuzohet për pesë vepra penale të dëmtimit të pronës së tjetrit, duke prekur tre individë dhe dy kompani, njofton Drejtoria e Policisë së Zagrebit.
Sipas policisë, midis 3 dhe 7 tetorit, gruaja 80-vjeçare iu afrua veturave të parkuara dhe i dëmtoi qëllimisht me një çelës që mbante me vete.
Policia deklaron se ajo dëmtoi tri vetura midis datave 3-4 tetor. Në rrugën "Donje Vrapçe", ajo dëmtoi me çelës një Volkswagen Golf në pronësi të një 47-vjeçari, ndërsa në rrugën "Ivana Brliq Mazhuraniq" gërvishti një Volkswagen Polo dhe një Opel, të dyja në pronësi të kompanive.
Disa ditë më vonë, gjatë natës së 6-7 tetorit, ajo u kthye në rrugën "Donje Vrapçe". Aty, sipas dyshimeve të policisë, ajo përdori sërish çelësin për të dëmtuar të njëjtin Volkswagen Golf, e më pas një Kia në pronësi të një 28-vjeçari dhe një BMW në pronësi të një gruaje 52-vjeçare.
E pandehura 80-vjeçare i është dorëzuar mbikëqyrësit të paraburgimit dhe një hetim penal është në vazhdim, sipas një deklarate nga Drejtoria e Policisë së Zagrebit.