Dorëheqja e ministrit të Brendshëm fut në krizë qeverinë e Merkelit

Evropë

Dorëheqja e ministrit të Brendshëm fut në krizë qeverinë e Merkelit

Më: 2 korrik 2018 Në ora: 10:04
Horst Seehofer

Samiti i BE-së duket se nuk e shpëtoi dot Angela Merkelin, ashtu siç u mendua në fillim. Rezultati i tij është pritur me kritika nga partneri i saj i koalicionit, njëkohësisht ministër i Brendshëm, Horst Seehofer, që tani thotë se do të japë dorëheqjen.

Për kreun e CSU-së, masat e takimit të lartë në Bruksel nuk kanë të njëjtin efekt për kthimin e refugjatëve në kufi, me atë që supozohet të kenë planet e tij.

Seehofer ka dalë prej kohësh kundër linjës së Kancelares, që këmbëngul të tregohet më e butë me azilkërkuesit.

Në një mbledhje të zhvilluar në Mynih, mes Kryesisë së CSU-së dhe grupit parlamentar të landit të Bavarisë, Seehofer e hodhi poshtë edhe propozimin e parashtruar nga Merkeli, sipas të cilit refugjatët e regjistruar në vendet e tjera të BE-së të strehohen në të ashtuquajturat qendra ankorimi në Gjermani.

Me këtë, kreu i CSU-së i është kundërvënë drejtpërdrejt kryetares së ekzekutivit. Nëse Seehofer largohet, partia e tij duhet të propozojë një kandidat të ri nga radhët e saj për këtë post.

Por, nëse simotra e CDU-së nuk e bën këtë dhe nuk pranon të qëndrojë më në koalicionin qeverisës me Merkelin dhe SPD-në, atëherë shumica qeveritare në Bundestag humbet, duke e lënë Merkelin përballë tri mundësish: një qeveri pakice, krijimin e një koalicioni të ri, apo zgjedhjet e parakohshme. Merkeli vet ka deklaruar më herët se do të preferonte qeverinë e pakicës. Nëse presidenti Steinmeir vendos të shpërbëjë Parlamentin, zgjedhjet e reja do të mbaheshin brenda 60 ditëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat