Shpërblimi prej një milion eurosh për informacionin se kush urdhëroi vrasjen e gazetares më të shquar të Maltës është ende në dispozicion, edhe një vit pas vdekjes së saj.
Daphne Caruana Galizia, 53 vjeç, e cila hapi një blog ku denonconte rastet e korrupsionit në vend, u vra më 16 tetor 2017 nga një shpërthim me eksploziv në makinë.
Hetimet për vrasjen e saj vijojnë ende, ndërsa deri tani janë arrestuar 3 persona, të cilët gjithsesi vijojnë të mohojnë përfshirjen në ekzekutimin e gazetares.
Policia beson se një person ende i paidentifikuar urdhëroi sulmin, që ministri i drejtësisë Owen Bonnici e quajti “krimin më të madh që ka ndodhur ndonjëherë në Maltë”.
Kryeministri Joseph Muscat, një objektiv i shpeshtë i shkrimeve të Daphne Caruana Galizia, ofroi shpërblimin vitin e kaluar.
Paratë do të paguhen për çdo informacion, “i cili mund të zhbllokojë faktet pas vrasjes. Kështu që përsëris ofertën, është ende aty”, tha Bonnici për Reuters në një intervistë.