Tovërlani: Nervozizmi në pjesën e parë na ka kushtuar me Bullgarinë

Futboll

Tovërlani: Nervozizmi në pjesën e parë na ka kushtuar me Bullgarinë

Nga: Kemajl Goca Më: 26 mars 2019 Në ora: 18:08
Afrim Tovërlani

Javën që e lamë pas dhe kjo fillimjavë kanë qenë në drithërima jo vetëm për popullin e Kosovës, por për kudo që jetojnë e veprojnë shqiptarët! Kombëtarja e Kosovës u përplas në miqësore me 21 mars me fuqinë botërore Danimarkën dhe pastaj me 25 mars me Bullgarinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian. Në te dy ndeshjet Kosova dhuroi lojëra shumë të mira, ka qenë jashtëzakonisht e rrezikshme për kundërshtarët, veçmas deri në minutën e fundit udhëhoqi me 2:1 ndaj danezëve, por në fund pësuan gol dhe në anën tjetër e mbajtën në presion të madh Bullgarinë! Ish futbollisti i mirënjohur, Afrim Tovërlani, njëherësh trajneri më i trofeshëm në Kosovë, ka vlerësuar te dyja sfidat dhe ka tërhequr edhe vërejtjen futbollistëve tanë, se nuk guxojnë të janë nervoz siç ndodhi me Bullgarinë në pjesën e parë dhe ka dy fjalë edhe për reprezentuesin tonë, talentin Edon Zhegrova, i cili paraqitet për Baselin.    

“Bota sot”: Afrim, si e pa Kosovën në dy ndeshjet e fundit, e para me Danimarkën në miqësore, e cila përfundoi me rezultat 2:2 dhe mbrëmë (1:1) me Bullgarinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, ka ngritje dhe stabilitet?
Afrim Tovërlani:
Sa i përket Danimarkës ishte shumë më ndryshe dhe mendoj që na kishin nënçmuar. Me rëndësi që nuk humbëm me një ekip të madh si Danimarka. Para ndeshjes me Bullgarinë kisha thënë që do të jetë shumë më ndryshe dhe nuk duhet të mendojmë se mund t’i mposhtim lehtë. Pjesa e parë ishte jo mirë e kontrolluar dhe me habiti fakti që lojtarët tanë ishin ekstrem nervoz duke reaguar pa arsye dhe duke mos mundur t’i përbinin provokimet e bullgarëve. Kjo me çuditi në aspektin psikologjik. Me pjesën e dytë ishim ata që do të duhej të ishim nga fillimi dhe mëkat që nuk i shfrytëzuam rastet për të marrë pikët e plota. Lojtarët meritojnë përkrahjen dhe përgëzimet por disa duhet ta kuptojnë që interesi individual nuk mund të jetë para atij ekipor. Mjafton një moment ose një driblim apo veprim tjetër i cili mund ta dëmtoj rezultatin e ekipit. Kjo nuk guxon të na ndodhë. Ka ende mjaft çka të përmirësohet në lojën tonë në të dy drejtimet.

“Bota sot”: A duhet të kemi kujdes në të ardhmen, sepse nervozizmi mund të na kushtojë edhe me karton të kuq, pasi me Bullgarinë lojtarët tanë disa herë u provokuan?
Afrim Tovërlani:
Patjetër që duhet të punohet shumë në këtë aspekt sepse jemi ekip i ri dhe mund të ndodhë që ndonjë refer qëllimisht të na dëmtoj por në asnjë mënyrë nuk guxojmë të provokohemi as nga ekipet kundërshtare as nga referët e as nga tribunat. Mendoj që dje nervozizmi në pjesën e parë na ka kushtuar.

Image

“Bota sot”: Si e sheh grupin e Kosovës, një Bullgari me dy barazime, Anglia shumë e fortë, e mundi me 5:0 Çekinë dhe me 5:1 Malin e Zi, a mendoni se kombëtarja jona ka gjasa për vend të dytë?
Afrim Tovërlani:
Anglia nuk diskutohet sepse është shumë e fortë. Mendoj që kemi gjasa por na duhet përmirësim sepse kjo nuk është Liga e Kombeve. Kemi të bëjmë me kombëtare që kanë kaluar nëpër shumë kualifikime të ndryshme dhe e kanë përvojën. Me ardhjen e Hadërgjonajt dhe Loret Sadikut besoj që do të përforcohemi shumë mirë dhe të komponohemi më mirë. Na duhet më tepër agresivitet sidomos në mesfushë nga ku varet shumëçka. E vërteta është që jemi në ngritje e sipër por na duhet të përmirësohemi nëse duam vendin e dytë. Fatmirësisht Bullgaria dhe Çekia nuk janë ato që ishin para disa viteve dhe mund të përballeni me ta. Sa i përket Bullgarisë mendoj që më lehtë mund ta mposhtim atje se këtu sepse në fushën e tyre do të kërkojnë të fitojnë dhe ju duhet të sulmojnë e ne kemi lojtar të mirë për kundërsulme.

“Bota sot”: Në qershor Kosova zhvillon dy sfida të zorshme, njëra me Malin e Zi dhe tjetra me Bullgarinë, janë sikur finale dhe a vendoset në këto ndeshje edhe hapi ynë për vend të dytë?
Afrim Tovërlani:
Po edhe unë po shpresoj që Mali i Zi do të dënohet nga UEFA dhe të luhet ndeshja pa tifoz. Nga e kaluara ime që e kam përjetuar në disa ndeshje me Prishtinën kur kemi zhvilluar ndeshje në Malin e Zi gjithmonë ka pasur probleme me tifozët e tyre. Kam përshtypjen që shumë më mirë po luajmë me kundërsulme se kur po na mbyllen kundërshtarët siç ishte rasti me bullgarët. Nëse do të shtohet disiplina në zbatimin e detyrave siç ishte rasti kur e morëm golin nga bullgarët e që nuk guxonte të ndodhte, mund të ia dalim me te dyja këto kombëtare. Po e potencoj që nuk ka interes me të madh se rezultati i ekipit.

“Bota sot”: Kohët e fundit kritikohet Edon Zhegrova, por a i duhet kohë që të merr veten ky djalosh?
Afrim Tovërlani:
Edoni duhet të flas me vetveten dhe ta kuptoj që nuk është më fëmijë. Mbappe është moshatar i Edonit por ai i vendos ndeshjet dhe është me modest se Edoni. Pra ne të gjithë e duam dhe nuk do të dëshironim që ai të mbetet vetëm një talent. Duhet ta dij se shpejt mund të ndryshoj në futboll mendimi për të. Ai i duhet Kosovës por nëse ndryshon qasje dhe fillon të luaj në të mirën e ekipit. Kështu do të vlerësohet me shumë dhe do ta duan më shumë. Përndryshe mund edhe të mbetet jashtë ekipit nëse nuk ndryshon dhe nuk përparon.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat