Trajneri Bernard Challandes ka folur për portierin Arijanet Muriqi, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Bullgarinë.
Kosova këtë takim e fitoi me rezultat 3:2, e cila ishte fitorja e parë në një ndeshje kualifikuese të Evropianit, shkruan Insporti
Trajnerit Challandes iu përmend fakti se portieri Muriqi po bën dalje të shpeshta jashtë portës, dhe u pyet nëse portierit 20-vjeçar do t’i kërkohet të bëjë më shumë kujdes apo do t’i bëhet ndonjë vërejtje.
Challandes i doli në mbrojtje portierit të Man Cityt, dhe tha se ai do të marrë përgjegjësi për ndonjë gabim eventual të Muriqit.
“Portieri modern është e qartë se duhet të luajë mjaft mirë edhe me këmbë, duhet të jetë pjesë e ekipit”, tha Challandes.
“Ne jemi skuadër që tenton ta ndërtojë lojën e vet nga prapa, përkatësisht duke filluar nga portieri dhe kjo është mënyra jonë e lojës”, shtoi ai.
“Prandaj, unë e marr përgjegjësinë e një gabimi eventual që mund të sjellë një situatë e tillë por absolutisht se jo vërejtje për portierin”, përfundoi Challandes.