Lushtaku: Me pak fat do të kishim më shumë pikë

Futboll

Lushtaku: Me pak fat do të kishim më shumë pikë

Nga: Kemajl Goca Më: 26 shtator 2019 Në ora: 17:28
Lushtaku: Me pak fat do të kishim më shumë pikë

Drenica nga Skenderaj më shumë pikë ka fituar në udhëtim se sa si vendas. Drenica si vendas fitoi 3 pikë nga dy ndeshje, duke e mposhtur me rezultat 3:0 Llapin dhe pësoi humbje 0:2 nga Gjilani. Si mysafirë pësuan humbje me 4:1 nga Feronikeli i Drenasit, barazuan 1:1 me Trepçën ’89 në Mitrovicë, u ndanë baras 2:2 me Vushtrrinë dhe fituan me 1:0 në Ferizaj.  Drenica renditet në vend të shtatë me 8 pikë ose me dy fitore, dy barazime e dy humbje pas 6 javëve në elitën e futbollit të Kosovës. Kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, tha se me pak fat e seriozitet do të kishin me shumë pikë.

“Në këto gjashtë xhirot e para, duke marr parasysh edhe ndeshjet e para edhe kundërshtarët edhe kur dihet se si mysafirë kemi luajtur katër ndeshje, vetëm dy si vendas, ndoshta nuk jam i kënaqur me pikë që i kemi por me pak seriozitet dhe me pak fat do të kishim edhe plus katër pikë. Nëse i analizojmë gjërat në përgjithësi, me të vërtet na kanë përcjellë shumë lëndime me disa lojtarë, tek tash po shihet se pothuajse gati i kanë sanuar ato.

Mendoj që nga ndeshja me Ballkanin, se do të jemi të kompletuar. Vijmë nga një ndeshje me Ferizajn, me një fitore minimale dhe me një lojë të kënaqshme nga ana jonë, me një seriozitet e angazhim, djemtë që dhanë maksimumin. Ne e dijmë formën e Ballkanit por ne bazohemi ne ekipin dhe lojën tonë, nga ndeshja në ndeshje që të përmirësohemi dhe besoj se jemi në rrugë të mbarë me loje dhe ekip stabile. Atmosfera është jashtëzakonisht e mirë dhe me pak fat e seriozitet të arrijmë rezultatet më të mira”, thotë Lushtaku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Lushtaku e pranon se kampionati është i vështirë për secilën skuadër jo vetëm për Drenicën. “Kryesisht do të bazohemi në lojën tonë që e aplikojmë, ndërsa sa i përket vazhdimit të kampionatit gjithçka është në rregull.

Nëse marrim në përgjithësi stinorin është i vështirë për të gjitha ekipet, të gjithë kemi përballemi njëri me tjetrin. Të dielën luajmë si vendas me Ballkanin, një ekip shumë e mirë, që po tregon lojë dhe disiplinë të madhe, por ne mendojmë për ekipin tonë dhe luajmë para tifozëve tanë. Do të jetë ndeshje e vështirë por jam optimist se do të fitojmë”, tha Lushtaku.  Sfida mes Prishtinës dhe Drenicës është shtyrë.

“Me Prishtinën është shtyrë ndeshje për 16 tetor, por pas sfidës me Ballkanin ndeshja e radhës është me Dritën. Do t’ju qasemi ndeshjeve si gjithmonë duke e llogaritur kundërshtarin e radhës. Kam thënë edhe më herët edhe tash, nuk kemi ndonjë synim te madh, kryesisht bazohemi që të arkëtojmë më shumë pikë, që të jemi mbi mesin e tabelës.

Sa i përket Kupës së Kosovës, do të mundohemi maksimalisht që ta ndjekim deri ne fund, edhe pse siç dihet në Kupë me pak fat mundesh me shkuar lartë. Për ne është me rëndësi që mos të kemi probleme sa i përket pjesës së poshtme të tabelës. Objektivi sa i përket kampionatit, që mund të aludojmë në kushte, nuk na mundësojnë që të synojmë titullin e kampionit”, thotë Lushtaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat