Levante pa portier ndaj Bilbaos, për një arsye të çuditshme

Futboll

Levante pa portier ndaj Bilbaos, për një arsye të çuditshme

Më: 8 nëntor 2019 Në ora: 22:58
Levante

Levante konsiderohet si një ndër klubet më në formë të kampionatit spanjoll, pasi ekipi valencian ka mundur në dy ndeshjet e fundit pikërisht 2 nga 3 skuadrat kryesuese në Primera Division si Barcelona dhe Real Sociedad.

Megjithatë “granotas” për momentin janë në krizë të theksuar përsa i përket portierëve, deri në atë pikë sa ditën e dielë në orën 14 në duelin me Athletic Bilbaon në San Mames ekziston mundësia që mes shtyllave të pozicionohet pikërisht portieri i ekipit tjetër Levante B, që aktualisht luan në nivelin e tretë për nga rëndësia, të futbollit profesionist të këtij vendi.

Një problem i tillë ka lindur për arsye të angazhimit të portierit titullar Aitor Fernandez me zgjedhjet e përgjithshme të vendit iberik, që do të mbahen pikërisht më datë 10 nëntor. Teksa skuadra e Levantes do të udhëtojë drejt veriut të vendit, 28-vjeçari bask do të jetë i impenjuar gjatë gjithë fundjavës në qendrën e tij të votimit.

Aitor Fernandez është ndër njerëzit e përzgjedhur të njërës prej qëndrave të votimit dhe ditën e dielë në vend që të veshë dorezat gardiani i Levantes do të duhet të mendojë vetëm për fletët e votimit dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në zonën e tij.

Një skenar i tillë e ka lënë fare pa mundësi zgjedhjeje trajnerin Paco Lopez, duke patur parasysh që portieri rezervë i skuadrës Oier Olazabal nuk mund të luajë për arsye dëmtimi.

As bën të ditur se avokatët e klubit të Levantes po punojnë fort për të çliruar portierin Aitor Fernandez nga një detyrim i tillë, sidoqoftë për momentin askush në ekip nuk e ka të qartë nëse 28-vjeçari nga Arrasate do t’i bashkohet grupit të futbollistëve që do të udhëtojnë me autobusin e skuadrës drejt Bilbaos, apo do të qëndrojë në Bregun Lindor të vendit.

Fernandez që vite më parë ka qenë gjithashtu pjesë e skuadrave të ndryshme të moshave të Spanjës, është aktivizuar si titullar në të 12 ndeshjet e zhvilluara deri tani nga skuadra valenciane, ku natyrisht përfshihet edhe suksesi i jashtëzakonshëm i fundjavës së kaluar, 3-1 ndaj kampionëve në fuqi të Barcelonës.

Nëse Aitor Fernandez do të qëndrojë në shtëpi për të respektuar detyrimet si anëtar i komisionit në qendrën e tij të votimit atëherë në mënyrë të kuptueshme trajneri Paco Lopez do të jetë i shtrënguar për t’i dhënë çelësat e portës 22-vjecarit Dani Cardenas.

Nëse do të ndodhë vërtet atëherë për portierin katalanas do të bëhej fjalë për debutimin në Primera Division, pasi deri tani 22-vjeçari nga Terrassa është aktivizuar në shtatë takime për skuadrën e dytë të Levantes, që bën pjesë në Segunda Division B.

Për momentin ekipi i Levantes klasifikohet në vendin e 11 në tabelën e renditjes, por gjithsesi vetëm 3 pikë larg zonës europiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat