Zhegrova driblon kundërshtarët, shënon supergol dhe ia jep Baselit fitoren

Futboll

Zhegrova driblon kundërshtarët, shënon supergol dhe ia jep Baselit fitoren

Më: 16 janar 2020 Në ora: 13:44
Edon Zhegrova

Ylli kosovar i Baselit, Edon Zhegrova, ia dhuroi skuadrës së tij fitoren në ndeshjen miqësore kundër klubit rumun FCSB me një gol të bukur, të shënuar pesë minuta para fundit të ndeshjes.

Tani që është mbyllur pjesa e parë e sezonit të Superligës zvicerane, klubet janë në pushim dimëror dhe për t’i mbajtur lojtarët në formë po organizojnë ndeshje miqësore.

E tillë ishte edhe ndeshja e zhvilluar sot mes Baselit dhe FCSBK në stadiumin Antonio Lorenzo Cuevas në Marbella të Spanjës. Kjo ndeshje përfundoi me epërsi minimale të Baselit, falë Zhegrovës.

20-vjeçari kosovar i dribloi disa kundërshtarë dhe e përfundoi aksionin duke e shënuar golin e fitores, pesë minuta para se gjyqtari ta sinjalizonte fundin e ndeshjes.

Baseli do t’i zhvillojë edhe dy ndeshje miqësore – të dielën kundër Hamburger dhe të martën kundër Grasshoppers – para se t’ia nisë sërish sezonit në ligën elitare të futbollit në Zvicër me ndeshjen kundër Young Boys.

Kjo ndeshje mes Young Boys dhe Baselit, e cila do të zhvillohet më 26 janar në orën 16:00, do të jetë e rëndësishme për garën për titullin, pasi që Young Boys radhitet i pari në ligë, me vetëm dy pikë më shumë sesa Baseli.

Në këtë radhitje të mirë të Baselit ka ndikuar edhe Zhegrova me dhjetë paraqitjet e tij, në të cilat ka kontribuar me dy gola dhe dy asiste.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat