"Pesë zëvendësime për ndeshje" - Bota Sot
"Pesë zëvendësime për ndeshje"

Futboll

"Pesë zëvendësime për ndeshje"

Më: 29 prill 2020 Në ora: 13:23
"Pesë zëvendësime për ndeshje"

Drejtuesit e FIFA-s propozojnë nga pesë zëvendësime në dispozicion, për t’iu ardhur në ndihmë skuadrave gjatë ngjeshjes së pashmangshme të kalendarit të ndeshjeve. Zyrtarët e lartë të FIFA-s kanë ndërmend të aplikojnë një rregull të tillë, pasi siguria e lojtarëve mbetet përparësia kryesore. Të gjitha kampionatet anembanë globit janë ndalur, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe futboll këto kohë u luajt vetëm tre vende: Bjellorusi, Nikaragua dhe Taxhikistan, ndërsa së fundmi këtyre shteteve iu shtuan gjithashtu edhe ligat në Turkmenistan e Tajvan.

Një rregull i tillë mund të vihet në zbatim shumë shpejt nga organizatorët e kompeticioneve futbollistike, për të qëndruar në fuqi deri në fund të sezonit të vitit 2021. Një zyrtar i lartë i qeverisë botërore të futbollit deklaroi për BBC se shëndeti vjen në radhë të parë dhe asnjë kompeticion nuk ka vlerë, nëse rrezikohet qoftë edhe jeta e thjesht një futbollisti të vetëm.

Zëdhënësi i FIFA-s tha se futbolli mund të rikthehet si kohë vetëm atëherë kur autoritetet e Shëndetit Publik dhe qeveritë përkatëse ta gjykojnë si të arsyeshme dhe të sigurt për të filluar aktivitetet respektive. Zyrtarët e organizmit më të lartë të futbollit në rruzull kanë insistuar me forcë për t’i dhënë prioritet shëndetit dhe mirëqenies së vetë lojtarëve, por shqetësimi i madh i tyre lidhet me hipotezën e ngjeshjes së kalendarit, me një frekuencë shumë herë më të lartë nga ç’ndodh zakonisht, e një situatë e tillë në mënyrë të kuptueshme mund të shtojë ndjeshëm rrezikun e problemeve fizike apo dhe dëmtimeve serioze, për shkak të zhvillimit të shumë ndeshjeve në një hapësirë fare të ngushtë kohe.

Një propozim i tillë duhet të aprovohet natyrisht nga sektori i FIFA-s që merret me rregullat e lojës, International Football Association Board, pra IFAB dhe më pas mbetet për t’u kuptuar se si do të reagojnë vetë drejtuesit e ligave, që organizojnë aktivitetet përkatëse. Sipas BBC Sport IFAB pritet të japë një gjykim të arsyeshëm të kësaj çështje, duke u përgjigjur pozitivisht, sepse një ndryshim i tillë është diskutuar edhe më parë, si një mundësi tepër e rëndësishme për t’i ardhur në ndihmë vetë futbollistëve. Këto ndryshime parashikojnë rregullin e pesë zëvendësimeve për secilën skuadër, gjatë një ndeshjeje, pikërisht në kompeticionet ku nuk lejohej një numër i tillë ndryshimesh në fushë.

Pesë zëvendësimet do të ndahen në tre faza, e natyrisht këtu nuk përfshihet hapësira ndërmjet pjesëve, pra në mënyrë të kuptueshme një skuadër nuk mund të ndryshojë menjëherë pesë futbollistë njëkohësisht në fushën e lojës. Mbetet akoma për t’u vlerësuar mundësia e kryerjes së një zëvendësimi të gjashtë, nëse do të nevojitet koha shtesë. Një leje e tillë mund t’i jepet edhe skuadrave përfaqësuese, në ndeshjet ndërkombëtare që do të luhen deri më 31 dhjetorin e vitit 2021.

FIFA po mendon gjithashtu për të modifikuar rregulloren përkohësisht edhe në rastin kur futbollistët pështyjnë gjatë zhvillimit të një takimi. Më parë një gjest i tillë ishte i dënueshëm vetëm në rastet kur futbollistët pështynin kolegët e tyre gjatë zhvillimit të ndeshjeve, ndërsa tani po insistohet për të dënuar çdo lojtar që e bën një gjest të tillë mbi tapetin e blertë. Doktori belg Michel D’Hooghe, që është shefi i Këshillit Mjekësor të FIFA-s deklaroi për The Daily Telegraph se në momentin e rifillimit të ndeshjeve duhet të ndëshkohet çdo futbollist që pështyn në fushë, për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë së virusit COVID-19.

D’Hooghe është një figurë tepër e respektuar, që në fund të mijëvjecarit të kaluar ka drejtuar për plot 14 vjet Federatën Belge të Futbollit, gjithsesi ai shtoi se gjesti që bëjnë lojtarët duke pështyrë vazhdimisht mbi barin e fushës përbën një praktikë tepër të njohur në këtë sport. Sipas tij ky veprim shkon kundër higjienës, që duhet respektuar me rigorozitet këto kohë anembanë globit dhe për të luftuar koronavirusin në raste të tilla Shefi i Këshillit Mjekësor të FIFA-s mendon se cdo futbollist që pështyn meriton të ndëshkohet me karton të verdhë./ss/.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat